#GO2Innovation kontribuoi në krijimin e ekosistemit të turizmit dhe agrobiznesit
Sipërmarrësit dhe të gjithë aktorët nuk janë rivalë, por partnerë me njëri-tjetrin.
Përfaqësuesja e SIDA-s, Petra Burcher:
Janë më shumë se 60 sipërmarrjet e turizmit dhe agrobiznesit të Qarkut Shkodër, por edhe në Krujë, Tiranë e gjetkë, që përgjatë thuajse 2 viteve të fundit u mbështetën me shërbime të ndryshme nga Qendra e Inovacionit #GO2Innovation. Për të bërë një bilanc të këtij angazhimi, por edhe për të realizuar njohje, shkëmbime përvojash dhe marrëdhënie të reja biznesi, një pjesë e këtyre sipërmarrjeve, si dhe studentë, përfaqësues të Qarkut Shkodër, guida e operatorë të tjerë turistikë, u mblodhën sërish bashkë të Mërkurën, më 30 Qershor 2021.
Për këtë qëllim u zbatua një program mjaft i ngjeshur dhe i larmishëm aktivitetesh, që zgjatën thuajse 12 orë dhe përfshinë 6 destinacione në Shkodër, Malësi të Madhe dhe Lezhë. Në orën 09.00, pjesëmarrësit u ndanë në 3 grupe, secili drejt një destinacioni: Ferma Ekosociale Ana e Malit, Ferma Agrodani në Mabë, si dhe Agroturizmi “Rruga e Mullirit” në Reç. Gjatë këtyre vizitave, pjesëmarrësit u njohën me përvojat, arritjet dhe sfidat e këtyre sipërmarrjeve, duke shkëmbyer njohje dhe lidhur marrëdhënie të reja bashkëpunimi mes tyre, si dhe duke shijuar produkte natyrale, të realizuara me pasion nga mikpritësit që janë njëkohësisht fermerë, amvisa dhe aktivistë shoqërorë.
Në mesditë, grupet u mblodhën në mjediset e Shkollës së Mesme Profesionale “Hamdi Bushati”, për të marrë pjesë në një ceremoni të thjeshtë, ku ishin të pranishëm edhe Prefektja e Qarkut Shkodër znj. Majlinda Angoni, Kryetari i Këshillit të Qarkut Shkodër z. Hilmi Lakti, partnerët e #GO2Innovation – përfaqësuesja e Bashkisë Vau Dejës znj. Ana Shurdha, Drejtorja e Shkollës znj. Merita Zeneli etj.
Duke hapur ceremoninë, Drejtorja Ekzekutive e Organizatës GO2 znj. Eltjana Shkreli falenderoi në mënyrë të veçantë sipërmarrjet dhe partnerët, që përmes përkushtimit ia dolën ta përballojnë me dinjitet vitin e vështirë të pandemisë, që më shumë se çdo sektor tjetër, ka prekur thellë turizmin në mbarë botën. Ajo u ndal në rëndësinë jetike të këtyre sipërmarrjeve për të gjeneruar vetëpunësim që kontribuon në ekonomitë familjare dhe të komuniteteve.
Aktivitetet u organizuan në kuadër të projektit #GO2Innovation, të realizuar nga partnerët GO2, Shkolla e Mesme Profesionale “Hamdi Bushati” dhe Bashkia Vau Dejës me mbështetetjen e programit #ChallengeFund të Bashkimit Europian, që zbatohet nga SIDA dhe GIZ. Me temën e zgjedhur “Mbijetesa e sipërmarrjeve të turizmit dhe agrobiznesit në pandemi”, aktivitetit iu bashkëngjit Konferenca V për Turizmin në Qarkun Shkodër, një inisiativë e cilë që prej vitit 2016 realizohet nga Organizata GO2, në bashkëpunim me partnerët lokalë COSPE dhe VIS. Edicionet e mëhershme të kësaj Konference janë mbajtur në bashki të ndryshme të Qarklut Shkodër, si Vau Dejës, Pukë, Malësi e Madhe dhe Shkodër.
Për t’u njohur nga afër me gjendjen e ekosistemit të turizmit dhe agrobiznesit, në këtë ditë aktivitetesh ku u angazhuan mbi 100 sipërmarrës, studentë e të ftuar të tjerë, mori pjesë znj. Petra Burcher, Drejtuese e Agjencisë Suedeze për Zhvillim në Tiranë. Në fjalën e saj, znj. Burcher kujtoi kohën kur ka ardhur për herë të parë në Shqipëri më 2012, në të cilën ekosistemi i inovacionit nuk ishte i zhvilluar, sepse kishte vetëm disa aktorë, zëri i të cilëve nuk dëgjohej në tregun shqiptar. Por në krahasim me atëherë, – theksoi znj. Burcher “duke ju parë të gjithëve ju bashkë, që jeni sot pjesë e këtij ekosistemi dhe e këtij projekti, ndihem shumë shumë e lumtur.”
Që një ekosistem të ecë përpara duhet të ketë shumë aktorë, duke filluar nga adminsitrata, nga bisnesi, arsimi dhe ju sot jeni të gjithë bashkë në këtë sallë dhe ky është ekosistemi. Ju jeni të varur nga njëri-tjetri. Mund t’ju thëm Urime! Të gjithëve bashkë dhe vazhdoni të jeni kështu, bashkë, sepse ju keni njevojë për njëri-tjetrin. Nëse do të vazhdoni kështu, nëse nuk do ta shihni njëri-tjetrin si konkurrentë, por do të shkëmbeni dijet dhe përvojat, rajoni juaj do të zhvillohet në mënyrë fantastike, – përfondoi fjalën e saj znj. Burcher.
Në takim përshëndetën edhe autoritetet më të larta të Qarkut Shkodër, znj. Angoni dhe z. Lakti, të cilët u zotuan për angazhim në mbështetje të këtij sektori kaq të rëndësishëm për rajonin.
Nga partnerët e projektit #GO2Innovation, përshëndetën drejtorja e Shkollës “Hamdi Bushati”, znj. Zeneli, si dhe përfaqësuesja e bashkisë Vau Dejës, znj. Ana Shurdha, të cilat evedentuan arritjet e këtij projekti, si dhe impaktin te studentët dhe sipërmarrjet përkatëse. Ashtu si znj. Shurdha, edhe znj. Pezana Rexha, ekspertë e angazhuar gjatë këtij projekti, evidentoi përkushtimin me të cilin stafi i #GO2Innovation ka punaur me bizneset, duke e vënë theksin para së gjithash te njeriu e më pas te sipërmarrja. Ndërsa në mesin e sipërmarrjeve të mbështetura nga projekti, u soll shembulli i znj. Ëngjëllushe Pepaj, e cila para pak ditësh vendosi ta formalizojë sipërmarjen e saj të agrobiznesit në fshatin Qelës të Pukës, duke e regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. Rrëfimi i vetë znj. Pepaj ishte vërtet emocionues dhe tërhoqi vëmendjen e veçantë të znj. Burcher, e cila tha se ky rast tregon se çfarë është ekosistemi: që nga trajnimet e para te AgroPuka e deri te vendimi për të hapur një sipërmarrje.
Më pas e morën fjalën përfaqësueset e organizatave partnere të GO2 në realizimin e Konferencës për Turizmin, znj. Rozeta Mihali nga COSPE dhe znj. Sonila Hoxholli nga VIS. Ato sollën rastet e kontributit të tyre në mbështetje të bizneseve në zonat respektive, Zadrimë dhe Malësi e Madhe, sidomos në çertifikimin e fermerëve dhe rritjen e kapaciteteve të sipërmarrësve lokalë.
Ndërkohë që të pranishmit në sallë iu rikthyen përvojave të vitit të kaluar gjatë angazhimit në #GO2Innovation, përmes shfaqjes së një dokumentari të shkurtër të realizuar për këtë qëllim, përfaqësuesja e SIDA-s u njoh me mjediset e Shkollës “Hamdi Bushati”, ku u realizuan një pjesë e mirë e shërbimeve për sipërmarrësit. Të tilla ishin Laboratori i Tekstilit, ku ishin ekspozuar punimet e studentëve në teknika të ndryshme, ndërsa u bënë edhe demonstrime të endjes me tezgjah dhe qëndisjes, nga znj. Meliha Zyberaj, si dhe Laboratori i Kulinarisë, ku ekspertja e kuzhinës znj. Dhurata Thanasi, me asistencën e z. Risalt Çeka, studentëve dhe disa sipërmarrësve, realizuan një menu të pasur, me produkte lokale. Të njëjtat laboratore u vizituan edhe nga pjesëmarrësit e tjerë të Konferencës, të cilët patën fatin të shijonin receta mjaft të veçanta, si kërpudhat e thata të Pukës, rizoto me verë Kallmet, dromka me pulë fshati, biskotat me lavandë etj. Në mbyllje të aktiviteteve të organizuara në mjediset e Shkollës u hap një panair i vogël, ku sipërmarrës të ardhur nga i gjithë qarku ekspozuan produktet e tyre tejet të larmishme: që nga perimet e gjelbra, frutat e egra të pyllit, lëngjet natyrale të frutave, pëlhura të endura në tezgjah, qëndisma, enë qeramike etj.
Me këtë rast Organizata GO2 botoi 3 libra profesional kushtuar kulinarisë, artit të dorës dhe agrobiznesit, me titujt respektivë: “Masterclass” (136 faqe, ISBN 978-9928-4461-8-3); “Art Dore” (72 faqe, ISBN 978-9928-4461-7-6); “Agrobiznes” (128 fq, ISBN 978-9928-4461-9-0). Po ashtu u publikua një numër special i gazetës VIJA, kushtuar inovacionit si koncept dhe përvojë botërore, si dhe bilancit të punës në Qendrën e Inovacionit #GO2Innovation.
Për sipërmarrjet që e zgjodhën, opsionet shtesë të kësaj dite aktivitetesh rezultuan tepër të veçanta. Në orët e para të pasdites ata u mirëpritën nga sipërmarrësja znj. Indira Çoçja në hotel-boutique “Çoçja”, një biznes serioz i hapur kohët e fundit në qendër të qytetit të Shkodrës. Në vazhdim, orët e mbrëmjes në fushat me lavandë e bimë të tjera aromatike të Fermës Salvia Nord në Koplik ishin mbyllja e përsosur e një dite të gjatë, por vërtet gjithpërfshirëse.