Sipërmarrës të turizmit, investoni te njerëzit që punojnë për ju!
PParadoksalisht me mikpritjen legjendare, cilësia e shërbimeve është thembra e Akilit për strukturat turistike në Shqipëri. Si një vend i dalë nga izolimi gjysëmshekullor, Shqipëria mbetet ende e papërvojë në industrinë e turizmit. Dëshmi për këtë mungesë përvoje nuk është vetëm masakra 30-vjeçare e ndërtimeve të shëmtuara, brutale përgjatë vijës bregdetare, liqenore e lumore të vendit, por edhe komentet (review) të vizitorëve të huaj, që sidomos gjatë dekadës së fundit, kanë zgjedhur Shqipërinë për aventurat e tyre turistike. Në përgjithësi komentet e tyre për përvojën shqiptare në faqet më popullore të udhëtimeve turistike, janë pozitive, por pjesa e komenteve me doza kritike ka emërues të përbashkët cilësinë e shërbimit. Nuk po ndalemi në detaje që kanë të bëjnë me sjelljet e sipërmarrësve, të kamarierëve, të recepsionistëve etj., disa prej të cilave – sidomos të guidave turistike – janë shembull e të tjerë që kanë përfunduar si çudi shqiptare në mediat botërore. Mirëpo ndërsa ka struktura turistike që i vlerësojnë me përgjegjshmëri dhe seriozitet këto komente, duke interaktuar dhe duke reflektuar ndaj sugjerimeve, ka edhe nga ato që nuk kanë reaguar dhe as ndryshuar për vite të tëra. Në kushtet e frekuentimit në rritje të vendit tonë si destinacion turistik – me kulm në vitin 2019 – kishte gjithmonë mjaftueshëm klientë, të huaj ose vendas për çdo strukturë turistike, por në kushtet e reja të kufizimeve ekstreme të lëvizjes së lirë në mbarë botën, sipërmarrjet e përgjegjshme e kanë konsideruar rishikimin e cilësisë së shërbimeve që ofrojnë. Të detyruar nga kriza e turizmit këtë vit dhe nga pasiguria e të ardhmes së afërt, edhe disa sipërmarrje turistike në Qarkun Shkodër kanë ndërmarrë disa lëvizje për të përballuar me sa më pak humbje situatën, si dhe për të investuar për një të ardhme të qëndrueshme të lidhur ngushtë, në mos të varur nga turistët vendas.
Për këtë qëllim, #GO2Innovation, Qendra e Inovacionit e Organizatës GO2, e krijuar nga projekti EU for Innovation me mbështetjen e Bashkimit Europian përmes Agjensisë Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar SIDA dhe Bashkëpunimit Gjerman GIZ, organizoi një seri trajnimesh për rritjen e cilësisë së shërbimeve turistike në strukturat turistike të Qarkut Shkodër. Ky trajnim intensiv i mbajtur në sallë për aspektet teorike dhe i zhvendosur në strukturat turistike për aspektet praktike, evidentoi një seri problematikash me të cilat përballet ky sektor. Sikurse e thotë në intervistën për gazetën VIJA njëri prej dy ekspertëve me përvojë shumëvjeçare në turizëm i angazhuar si trajner nga #GO2Innovation, sipërmarrësit dhe menaxherët duhet të kuptojnë rëndësinë e të investuarit te burimet njerëzore, jo vetëm me pagesën mujore, por me rritjen e tyre profesionale. Mirëpo ky mesazh i zv/rektorit të Universitetit të Durrësit, z. Elton Noti, sikurse edhe leksionet ekselente të ekspertit tjetër me përvojë 30-vjeçare në turizëm – z. Arben Çiço, nuk u mor dot nga sipërmarrësit dhe menaxherët e strukturave turistike. Për arsye që më së shumti mund të lidhen me nivelin e vetëdijes për nevojën e këtyre trajnimeve, menaxherët dhe sipërmarrësit e strukturave turistike që bëjnë pjesë në grupin mjaft të gjerë të sipërmarjeve që po mbështeten me shumë shërbime që prej fillimit të këtij viti nga #GO2Innovation, nuk iu bashkuan këtij trajnimi. Prandaj me të drejtë, Noti thekson se “Në mënyrë absolute kjo vetëdije duhet promovuar nga ju si organizatë dhe nga çdo organizatë tjetër që operon në fushën e turizmit, për të ndikuar sadopak në vetëdijen e vendimmarrësve, të cilët duhet të nxisin stafet e tyre për të marrë njohuri në shkolla profesionale, në trajnime të kësaj natyre e në kurse të veçanta që mund të ofrohen.”
Të gjitha përvojat shpirtërore turistit ia japin njerëzit me të cilët ai do te jetë në kontakt gjatë udhëtimit.
Prandaj më shumë se kritikë, ky shkrim dhe krejt numri 24 i gazetës VIJA është një tjetër thirrje që i bëhet sipërmarësve të turizmit në Qarkun Shkodër dhe më gjerë, për t’i kushtuar më shumë vëmendje rritjes së aftësive profesionale të stafit që shërben në këto struktura, sepse përtej çdo shëtitjeje me makinë, ecjeje malore apo vizitës në një muze, arsyeja pse turisti merr udhën për të vizituar një vend është njohja me një kulturë dhe me një mënyrë jetese të panjohur për të dhe të gjitha këto përvoja shpirtërore atij ia japin njerëzit me të cilët ai do te jetë në kontakt gjatë këtij udhëtimi: ciceroni në një muze, guida në një ecje malore, kamarieri në një restorant, recepsionisti në një hotel dhe e zonja apo i zoti i shtëpisë në një bujtinë. Investimi në një strukturë turistike nuk mbaron me tullat e llaçin e as me orenditë luksoze, prandaj investoni te njerëzit që punojnë për ju.