2 ditë dinamike me sipërmarrësit në konkursin e #GO2Innovation
Përfundon me sukses konkursi i sipërmarrjeve në #GO2Innovation. Pas zgjedhjes së bëri juria teknike, duke çuar në fazën e dytë 42 nga 60 sipërmarrjet që aplikuan në fazën e parë, ishte radha e jurisë së ekspertëve që të merrte në intervistë secilin sipërmarrës. Për shkak të ndalimqarkullimit ndërmjet qendrave të banuara, intervistat u realizuan përms videos, në platformën Zoom. Të ndarë në 5 grupe, sipërmarrësit prezantuan në formatin “online pitching” idetë për të cilat erdhën deri në këtë fazë.
Procesi i intervistimit, sikurse edhe ai i konkurrimit me Kartelën e Sipërmarrjes, ishte krejtësisht transparent dhe i drejtë, sepse të gjithë sipërmarrësit ishin të lidhur me video dhe audio gjatë prezantimin të secilit sipërmarrës të atij grupi ku ata bënin pjesë.
Juria e ekspertëve përbëhej nga Pezana Rexha, Alda Dhamo, Xaira Kastrati, Shkëlzen Marku dhe Gojart Smaja. Kriteret e vlerësimit ishin bërë publike më herët:
- Aftësitë e Sipërmarrësit 3 pikë
- Oferta – Produketet/Shërbimet Kryesore 3 pikë
- Kërkesa – Tregu dhe Konkurrenca 3 pikë
- Risia që Sjell Sipërmarrja 1 pikë
6 dhe 7 Prilli ishin ditë të ngarkuara për jurinë dhe #GO2Innovation në rolin e organizatorit, sepse duhej kurorëzuar një volum i madh pune i nisur një javë më parë, përmes telefonatave, njoftimeve me sms dhe media sociale, udhëzimeve me email dhe me video për 42 sipërmarrësit.
Ditën e parë, të Hënën u intervistuan 20 sipërmarrës, të ndarë në tre grupe: Grupi i parë në orën 09.00 ishte ai i biznesit të madh me 6 sipërmarrës, e menjëherë pas tij, grupi i artizanatit me 5 sipërmarrës. Pas drekës, puna vijoi përsëri me një grup të madh – atë të agroturizmit, më 9 sipërmarrës. Ndërsa dita e Martë kishte dy grupe: në mëngjes grupi më i madh, ai i start up-eve me 12 sipërmarrës dhe në pasdreke grupi i fundit, i turizmit me 10 sipërmarrës.
Gjeografia e sipërmarrësve ishte tejet e gjerë dhe përfshinte përveç 5 bashkive të Qarkut: Shkodrën, Pukën, Malësinë e Madhe, Vau Dejësin dhe Fushë-Arrëzin – edhe Tiranën dhe Tropojën.
Pas prezantimit prej 5 minutash, sipërmarrësit u pyetën për rreth 10 minuta nga anëtarët e jurisë, në prani edhe të një publiku mjaft të madh në numër, partnerë të projektit #GO2innovation dhe të tjerë të ftuar nga organizatorët për të ndjekur seancat e “online pitching”.
Në total, këto dy ditë intervistash të fazës së dytë të konkursit në #GO2Innovation rezultuan në mbi 14 orë prezantime, intervista dhe bashkëbisedime mes sipërmarrësve dhe jurisë. Përmes një komunikimi jashtëzakonisht pozitiv dhe frytëdhënës, sipërmarrësit ndanë me kolegët e tyre dhe me anëtarët e jurisë jo vetëm përvojat dhe vizionin, por edhe emocione të shumta. Pasioni për të ecur përpara dhe konfuzioni për të qartësuar produktin dhe klientin, përmirësimi dhe çertifikimi i produktit ishin kryefjala e diskutimeve gjatë 5 sesioneve. U shpalosën përvoja të ndryshme që megjithatë takohen në disa pika: sipërmarrje familjare që gjenerojnë të ardhura për ekonomitë e vogla, marketimi i produkteve dhe shërbimeve, përmirësimi i cilësisë dhe çertifikimi, financimi në disa prej sipërmarrjeve, e njëkohësisht kontributi për të përmirësuar jetesën e komuniteteve ku jetojnë. E megjithëse ra në sy mungesa e sipërmarrjeve të teknologjisë, nuk munguan projekte për produkte e shërbime turistike të larmishme, e madje edhe ambicjet për themelimin e një organizate të menaxhimit të destinacionit (DMO). Dhe çfarë është më e rëndëishmja: Shumica e sipërmarrjeve konkurruese në #GO2Innovation drejtohen nga gra të reja, te cilat synojnë të krijojnë ekonomi familjare dhe vetëpunësim. Ndërkohë që gjysma e tyre janë nga zonat e thella rurale të Veriut, në mes të Alpeve Shqiptare. (Gazeta VIJA Nr. 19, fq.3, Prill 2020)
Juria e ekspertëve
Juria e ekspertëve të fazës së dytë të konkursit në #GO2Innovation përbëhej nga:
Pezana Rexha
sipërmarrëse, mentorePezana Rexha është sipërmarrëse që në moshën 18-vjeçare dhe pasionet e saj i ka ndarë mes arkitekturës dhe sipërmarrjes. Më 2013 ka themeluar sipërmarrjen sociale Pana që dizenjon e prodhon mobilje e aksesorë përmes drurit të ricikluar të paletave dhe mobiljeve të vjetra. Për 7 vjet, Pana ka pasur sukses jo vetëm në pjesën e biznesit, por edhe duke fituar çmime të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare, si psh: vendi i dytë në Europë, për sipërmarrjet sociale – Social Innovation Tournament 2015.
Gojart Smaja
ekspert marketingu dhe burimesh njerëzoreGojart Smaja është konsulent i pavarur dhe partner për zhvillim biznesi në sektorët e turizmit, agro-turizmit dhe bujqësisë në Shqipëri. Ai ka qenë koordinator shqiptar për organizatën PUM Netherlands Senior Experts dhe atë zvicerane Sëiss Senior Experts Corp gjatë viteve 2012-2017, duke sjellë mbi 160 ekspertë të fushave të ndryshme në asistencë të bizneseve në të gjithë Shqipërinë.
Xaira Kastrati
ekperte bankareXaira Kastrati është eksperte e pavarur në fushën e financave. Përvoja e saj profesionale është formuar kryesisht në sistemin bankar ku ka punuar për 17 vite, duke qenë përgjegjëse për analizën e biznesit, planifikimin strategjik, mbështetjen e rritjen e klientëve të biznesit, raportim statistikor, konsultim financiar, menaxhimi i riskut etj. Më 2017 ishte Drejtore e Kabinetit të Zëvendës Kryeministrit, ku ka koordinuar dy reforma ndërministrore në Shqipëri “Reformimi i Shërbimeve Publike” dhe “Reforma e Deregulimit”, si dhe Drejtore e Bordit të Agjencisë për Ofrimin e Shërbimeve të Integruara në Shqipëri (ADISA).
Shkëlzen Marku
ekspert i sipërmarrjes në turizëm dhe inkubatoritShkëlzen Marku është bashkëthemelues dhe drejtor menaxher i Yunus Social Business Balkans, organizatë që mbështet ndikimin e sipërmarrjes në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ai është sipërmarrës, trajner biznesi, mentor dhe anëtar bordi në kompani, fondacione dhe në institute të ndryshme kërkimore e financiare. Që prej 2017 ai shërben si ambasador i Forumit Botëror për Inovatorët në Zvicër, si dhe në institucione si Banka Botërore, IFAD, FAO, UNDP, DfID etj. Prej 20 vitesh është lektor në disa universitete në Shqipëri.
Alda Dhamo
eksperte e sipërmarrjeve dhe inovacionitAlda Dhamo ka punuar për disa projekte në mbështetje të sipërmarrjes, inovacionit në biznes dhe në fushën kërkimore me disa organizata shqiptare dhe të tjerë partnerë nga rajoni dhe vendet e Bashkimit Europian, ndër të cilat Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA). Ajo është e përfshirë si vlerësuese në projektin IDEA, Terre des Hommes për konkurse biznesesh në sektorë të ndryshëm, si dhe këshilluese e start up-eve të reja.
Disa nga nevojat dhe kërkesat e shprehura nga sipërmarrësit gjatë intervistave
Natyra e ndryshme e sipërmarrjeve konkurruese në #GO2Innovation, stadi i zhvillimit të biznesit, niveli i formimit profesional të sipërmarrësit, vendndodhja gjeografike e biznesit etj, janë disa prej faktorëve që diktojnë te bizneset nevoja të ndryshme nga njëri-tjetri, e sigurisht edhe pritshmëri të ndryshme. Megjithatë, në mënyrë të përmbledhur, nevojat e bizneseve, të identifikuara nga vetë sipërmarrësit gjatë seancave të intervistimit përballë jurisë, fillojnë që nga trajnimet për stafin e deri te blerjen e pajisjeve dhe aplikacioneve e madje edhe hapja e një muzeu – pavarësisht se mbështetja financiare nuk ofrohet në këtë fazë të punës e rrjedhimisht nuk përmendet në formatin e aplikimit (Kartela e Sipërmarrjes). Aktualisht në këtë thirrje, Qendra e Inovacionit #GO2Innovation nuk ofron investime dhe mbështetje financiare.
Më poshtë janë disa prej nevojave të sipërmarrjeve:
- Trajnim si start up
- Trajnim të stafit për shërbime në hoteleri dhe restorante
- Rrjetëzim
- Dizenjim produkti/shërbimi
- Marketim produkti/shërbimi
- Krijim produkti/shërbimi
- Zgjerim/hyrje në tregje të reja
- Hartim plan-marketimi
- Hartim plan-biznesi
- Hartim plan-menaxhimi
- Hartim plani strategjik
- Rritje fondesh etj