Artizanët shqiptarë në mijëvjeçarin e tretë
JJanë një sërë çështjesh të rëndësishme të cilat e shqetësojnë komunitetin e artizanëve shqiptarë, por më thelbësorja duket se është mungesa e kreativitetit dhe origjinalitetit inovativ, edhe pse jo të gjithë janë të vetëdijshëm për këtë mungesë. Po ashtu, ndryshe nga sa ndodh në mjaft vende në zhvillim, artizanët tanë nuk janë të integruar sa duhet me teknologjitë moderne, e sidomos ato dixhitale. Njohja më e thellë e teknologjisë do të çonte në përdorimin e saj për dizenjimin e produktit artizanal, por edhe për ofrimin e shërbimeve të ndryshme, si shitja online etj.
Këto mangësi e kanë lënë artizanatin shqiptar në nivele të tejkaluara, dhe më kryesorja e kanë lënë artizanin dhe produktin e tij jashtë tregut, ose në një treg tejet të kufizuar. Rezultati shihet në gamën jashtëzakonisht të ngushtë të artikujve të përdorimit të përditshëm që vijnë nga llojet e ndryshme të artizanatit dhe në mbingopjen e tregut me produkte industriale importi.
Një ndër shkaqet kryesore të kësaj gjendjeje vazhdon të mbetet sistemi arsimor, i cili nuk e ka përfshirë artizanatin në kurrikulat e veta, duke mos e konsideruar atë si një industri me peshë specifike në trashëgiminë dhe identitetin kulturor, por edhe në ekonomi.
Si pasojë e globalizimit ekonomik, kultura moderne në 30 vitet e fundit sa vjen e bëhet gjithnjë e më populiste, duke hedhur si të tepërt e të panevojshëm mjaft elementë thelbësorë të identitetit kulturor. Përballja e njeriut shqiptar me këtë kohë moderne rezultoi me prishjen e imazhit të identitetit kulturor, për shkak të identifikimit të këtij identiteti me ideologjinë e njeriut të ri të krijuar nga sistemi totalitar. I çorientuar nga tranzicioni, shqiptari u bë konsumator në një treg që sa vinte dhe zgjerohej dhe si i tillë hoqi dorë me zemërgjerësi nga kërkesa, duke e lënë veten të udhëhiqej nga oferta. Presioni i gjithanshëm i mallrave të importit me çmime shpeshherë shumë të ulëta, e bëri thuajse të padukshme ofertën e dobët të artikujve të përdorimit të përditshëm të prodhuar në mënyrë artizanale. Në një situatë të tillë, vëmendja, interesi dhe rrjedhimisht kërkesa e konsumatorit për produktet artizanale vazhdon të mbetet e papërfillshme në raport me kërkesën që ky konsumator ka për produktet industriale, për të cilat ai informohet pa ndërprerje përmes çdo mediumi dhe të cilat kanë ndikuar edhe në formimin e shijeve për këto mallra.
Njohja më e thellë e teknologjisë do të çonte në përdorimin e saj për dizenjimin e produktit artizanal, por edhe për ofrimin e shërbimeve të ndryshme, si shitja online etj.
Megjithatë, disa nisma modeste në zona të ndryshme të Qarkut Shkodër dhe më gjerë – në të gjithë Shqipërinë, po tentojnë ta riorientojnë konsumatorin drejt produkteve të artizanatit, duke premtuar rritjen e vlerësimit për punën e dorës. Herë-herë të ambalazhuara si fushata patriotike për të konsumuar produkte vendore, e herë-herë si fushata propagandistike qeveritare, përpjekjet e artizanëve për t’u integruar në tregun global nuk kanë rreshtur asnjëherë, por arritja më e madhe e tyre ka ardhur falë pasionit: ata po e mbajnë gjallë dhe madje po e trashëgojnë zejen e tyre te brezat. Me vështirësi të mëdha, kryesisht për shkak të përshtatjes së ngadaltë me zhvillimet bashkëkohore e jo rrallëherë edhe të refuzuar nga politikat ekonomike globale, artizanët kanë hyrë tashmë në mijëvjeçarin e tretë, si një alternativë këmbëngulëse që i kujton njeriut etapat e zhvillimit të tij, kohën kur e dashuronte thjeshtësinë e natyrës.