Vazhdojnë konsulencat mbi teknologjitë e pastra
EEdhe gjatë këtij muaji kanë vazhduar seancat e konsultimeve individuale mbi teknologjitë e pastra me sipërmarrësit e Qarkut Shkodër të cilat po mbështeten nga #GO2Innovation. Për shkak të kufizimeve të lëvizjes të diktuara nga pandemia, çka pamundësoi ardhjen në Shqipëri të ekspertit izraelit Dr. Noam Gressel, konsulencat po zhvillohen online, përmes platformës Zoom. Tipologjitë e bizneseve që po konsultohen janë: fermë, njësi akomoduese, restorant, punishte artizanale etj. Secili biznes po shfrytëzon mundësinë për të marrë të parët në rajonin e Shkdorës e më gjerë, të njohurive sa më të thella për teknologjitë e pastra. Integrimi i qëndrueshmërisë në praktikat e biznesit kontribuon në rritjen e vlerës së biznesit në mënyra të ndryshme si rritja e besnikërisë së klientit, ulja e kostove operative apo rritja e efikasitetit të lëndëve të para.
Pyetësori i realizuar nga kompania e Dr. Gressel për të matur përformancën aktuale të bizneseve, përfshin disa aspekte, si energjinë, ujin, transportin, mbetjet dhe ekonominë lokale. Përmes këtij pyetësori ofrohet një pasqyrë e ndikimeve që secili biznes ka në mjedis. Pas analizimit të të dhënave që rezultuan nga pyetësori, Dr. Gressel vlerësoi faktin që ndikimi i këtyre bizneseve në mjedis është në nivel mesatar, jo shumë problematik. Megjithatë sfida qëndron në krijimin e kushteve apo gjetjen e mënyrave inovative që bizneset të kenë emetime 0 të karbonit në mjedis. Pas kësaj ata do kenë mundësi të marketohen si biznese ekologjike, gjë e cila përveç përfitimeve mjedisore, e rrit vlerën e biznesit edhe në sytë e klientëve potencialë. Një iniciativë e mirëpritur edhe nga përfaqësuesit e bizneseve është ajo e balancimit të sasisë së karbonit që emetohet në mjedis, duke mbjellur sa më shumë pemë. Meqenëse shumica e sipërmarrjeve që po konsultohen nga eksperti izraelit janë biznese familjare, kjo do të thotë se ato kontribuojnë në ekonominë lokale.
Seancat e dyta të konsultimeve nisën me ushtrime konkrete për secilin biznes. Dr. Gressel prezantoi metoda inovative për analizën e strategjisë së biznesit dhe projektimet për të ardhmen. Ushtrimi Backcasting është një metodë në të cilën parashikohen kushtet e dëshiruara në të ardhmen dhe përcaktohen hapat për të arritur ato kushte. Pra përmes kësaj metode shqyrtohen zbatimet e qasjes në kontekstin e qëndrueshmërisë dhe identifikon hapat kryesorë për të arritur atë pozicion.
Ata do kenë mundësi të marketohen si biznese ekologjike, gjë e cila përveç përfitimeve mjedisore, e rrit vlerën e biznesit edhe në sytë e klientëve potencialë.
– Dr. Noam Gressel
Analiza SWOT ishte ushtrimi i radhës për të vlerësuar pozicionin aktual të bizneseve përpara se secili prej tyre të vendosë për implementimin e strategjisë së re. Është e rëndësishme që sipërmarrësit të kuptojnë se çfarë funksionon mirë, dhe çfarë nuk është aq e mirë. Ku dëshirojnë ata të shkojnë, si mund të arrijnë atje dhe çfarë mund t’i pengojë. Duke pasur të qarta këto çështje, sipërmarrësit do të ndihen më besimplotë për hapin e radhës drejt përmirësimit të biznesit të tyre.