KËRKOHEN PJESËMARRËS PËR LOJËN E DREJTA MBI QYTETIN
Mes të tjerash, Shkodra është e njohur për Festivalin Kombëtar të Këngës për Fëmijë që organizohet prej gati 6 dekadash, për Festivalin e Filmit të Animuar ANIFest ROZAFA që mbahet prej më shumë se 10 vjetësh, për grupet e artistëve të vegjël në pikturë, vallëzim, shah etj. Prandaj konceptimi i një Qyteze Shumëfunksionale për Fëmijët do të ishte mjaft krijuese, edukative dhe inovative për të sotmit dhe për fëmijët e së ardhmes, në Shkodër e më gjerë.
Përmes Lojës “E Drejta Mbi Qytetin”, Organizata GO2 do të mundësojë diznenjimin urban të kësaj Qyteze krijuese për fëmijët, për të cilën është supozuar të propozohet pjesa juglindore e qytetit të Shkodrës, poshtë Kodrave të Tepes, anës lumit Kir dhe përballë fshatit Kuç.
Loja “E Drejta mbi Qytetin” ka për qëllim të bëjë të kuptueshme për pjesëmarrësit sfidat me të cilat përballen grupet e ndryshme të interesit, të përfshirë në zhvillimin e qytetit, si qytetarët, pushteti lokal, sipërmarrësit, pronarët, shoqëria civile, grupet vulnerabël etj., përmes angazhimit praktik për zgjidhjen e një çështjeje të propozuar përmes lojës.
Pjesëmarrësit do të marrin këto role në lojë, do të kenë agjendat dhe objektivat e tyre, për arritjen e të cilave, ata do të bashkëpunojnë dhe do të negociojnë me njëri-tjetrin.
Organizata GO2 kërkon të angazhojë pjesëmarrës për Lojën “E Drejta mbi Qytetin” (Right2thCityGame) e cila zhvillohet për herë të parë në Shkodër.
Për t’u dhënë mundësi sa më shumë individëve që të përfshihen, do të zhvillohen 8 Lojëra, nga 1 Lojë në ditë, respektivisht nga data 8 – 27 Maj 2021. Secila ditë e Lojës fillon në orën 16:00, ndërsa kohëzgjatja e një Loje shkon nga 2.5-3 orë.
Loja do të organizohet në mjediset e gjelbra të Hotel ‘Rose Garden‘, Rruga “Justin Godart”, në krah të Katedrales, Shkodër.
Çdo individ ka të drejtë për të marrë pjesë deri në 2 Lojë. Për të zgjedhur ditën ose ditët në të cilat do të marrë pjesë në Lojë, individët duhet të aplikojnë duke plotësuar një formular të thjeshtë në butonin më poshtë:
Pjesëmarrësit e Lojës duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme:
Të kenë aftësi të mira: komunikimi, negocimi, pune në grup;
Të jenë të gatshëm të punojnë nën presionin e afateve kohore;
Të jenë mbi 15 vjeç.
Loja “E Drejta mbi Qytetin” realizohet në kuadër të projektit #ArtiDrejtPublikes, i cili mbështetet nga Leviz Albania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC.