GO2 Albania - Sustainable Urban Planning Organization
HHistoria dhe thatësira janë dy tiparet dalluese të Shkrelit, të quajtur me të drejtë porta e Alpeve Shqiptare. Trashësia nga 4-100 m e shtresës gurishtore e Luginës së Përroit të Thatë që kalon përmes Shkrelit ka përcaktuar prej shekujsh ecurinë e jetës në këtë zonë, si për njerëzit, ashtu edhe për florën dhe faunën. Shumica e 6000 banorëve të Njësisë Administrative Shkrel janë ekonomikisht të varur nga bujqësia dhe blegtoria: e para, e kushtëzuar nga thatësira bën që të dominojnë bimët aromatike mjekësore, dhe e dyta me tufa familjare bagëtish të imëta, si dhe lopë e derra. Sipas drejtuesve lokalë, vetëm Shkreli ka rreth 5 mijë ha të mbjellë me bimë aromatike mjekësore dhe rreth 9 mijë krerë bagëti. Për të mundësuar mbarështimin e blegtorisë, banorët e të 12 fshatrave të Shkrelit kanë trashëguar ndër breza aftësinë e ndërtimit të lerave.
Lerat janë pellgje për mbledhjen dhe ruajtjen e ujit të pijshëm për bagëtitë, në zonat ku mungojnë ujërat sipërfaqësorë, si liqenet, lumejtë, përrejtë, burimet etj. Ato ndërtohen me gurë dhe dhè (argjilë) në rrëzë të shpateve malore, në afërsi të kullotave. Lerat u shërbejnë kafshëve të blegtorisë, si deleve, lopëve, dhive etj., po ashtu edhe faunës së egër që jeton në zonët përreth.
Nga pikëpamja ligjore, në Shqipëri lerat bëjnë pjesë në “infrastrukturën e kullotave”, së bashku me koritat, çezmet, rrethimet e gardhet, tabelat, shenjat sinjalizuese etj, sikurse rrjeti rrugor dhe zyrat e ngritura në kuadër të fondit kullosor për fermat.
Zanafilla e lerave është mjaft e hershme, por ndërsa teknika e ndërtimit të tyre kërkon mjeshtri të veçantë. Në mjaft vende europiane vazhdon të ruhet tradita e ndërtimit të lerave me kashtë dhe argjilë, më gëlqere dhe argjilë, si dhe me dhè dhe gurë. Në përgjithësi lerat ndërtohen në formë rrethore me rreze 12-15 m, dhe rrallëherë elipsoidale. Në disa rajone të Ballkanit, përfshi edhe Shqipërinë, ndërtimi i lerave kalonte përmes një procesi relativisht të gjatë që përfshinte hapjen e gropës në thellësi deri në 3-4 m, hedhjen e dheut të butë, pastaj shtrimin e disa shtresave me pleh bagëtish dhe leshin e të imtave (dele, dhi). Më pas vinte ngjeshja e këtyre shtresave nga bagëtitë, duke e përdorur gropën për disa kohë si vathë apo stallë. Pas kësaj ngjeshjeje natyrale, duhet edhe njëherë ndërhyrja e mjeshtrave, që lera të bëhej gati për t’u funksionalizuar. Mirëpo kjo teknikë tradicionale është harruar, aq sa janë të rrallë të moshuarit që e mbajnë mend ekzistencën e tyre. Teknika e ndërtimit tashmë duket një zanat në zhdukje, sepse trashëgimia jomateriale, pra dijebërja për realizimin e këtyre elementëve të veçantë të peizazhit rural, nuk është ruajtur.
Jetëgjatësia e lerave varet nga shumë faktorë, ku përcaktues është teknika e ndërtimit, vendi dhe mirëmbajtja. Ndonëse tejet të thjeshta në ndërtim, lerat tradicionale mendohet se kanë funksionuar për disa dhjetëvjeçarë, ndërsa në disa zona në Shqipëri ende gjenden lera të ndërtuara përpara vitit 1990. Në mjaft raste, që në atë periudhë ka nisur të praktikohet ndërtimi i lerave duke përdorur membramë plastmasi të izoluar me dy shtresa dheu e pastaj me gurë përsipër. Kjo teknikë tashmë e ka zëvendësuar plotësisht teknikën tradicionale në Shqipëri, edhe pse në mjaft vende të Europës teknikat tradicionale vazhdojnë të praktikohen në ndërimin e lerave të reja apo restaurimin e lerave ekzistuese. Duke iu referuar raportimeve të shumta, sidomos në median angleze, rezulton se në këtë vend ka lera të ndërtuara që në shekullin IX – të cilat sigurisht janë restauruar rregullisht. Sipas ekspertëve të huaj, jetëgjatësia e një lere të tillë shkon deri në 150 vjet.
Ndërsa në vendin tonë, shumica e lerave të ndërtuara gjatë 30 viteve të fundit janë jashtë funksionit.
Duke iu rikthyer Shkrelit, aktualisht aty funksionojnë më pak se 10 lera nga 40 që ka zona. Kjo është si rezultat i teknikave të shpejta të ndërtimit, cilësisë së dobët të punimeve, materialeve të përdorura si dhe mungesës së mirëmbajtjes.
Për këtë arsye, në fund të dimrit, GO2 dhe kryetari i Njësisë Administrative Shkrel, z. Sali Hoxha, u konsultuan me kryepleqtë e 12 fshatrave për të diskutuar nevojën e ndërhyrjeve në lerat ekzistuese dhe ndërtimin e lerave të reja. Të pranishmit ngritën shqetësimet e blegtorëve për mungesën e ujit, duke sjellë shembujt e rrallë të disave që detyrohen të blejnë ujë të pijshëm për bagëtitë. Megjithatë, pas diskutimesh të gjata, përfaqësuesit e fshatrave u pajtuan se situata më emergjente paraqitej në dy fshatra: Lohje e Sipërme – ku nuk ka pasur asnjëherë lera, si dhe Bzhetë, ku nuk funksionon asnjëra prej 3 lerave të ndërtuara gjatë 25 viteve të fundit.
Këto shqetësime u pasqyruan në projektin “Lerat tradicionale, në shërbim të blegtorëve vendas dhe biodiversitetit të Shkrelit (Malësi e Madhe)”, i cili gjeti mbështetjen e Fondit të Partneritetit për Ekosistemet e Kërcënuara (CEPF), në kuadër të programit “Vatra e Biodiversitetit të Pellgut të Mesdheut”. Ky projekt që ka nisur tashmë, synon ndërtimin e dy lerave me metoda dhe materiale tradicionale, me qëllim sjelljen e modeleve të suksesit. Gjithashtu do të përpilohet një udhëzues për institucionet vendore për ndërtimin e lerave sipas mënyrave tradicionale, si dhe të promovohen lerat si atraksione turistike që synojnë të ruajnë biodiversitetin te krerët e bagëtive të zonës.