Arti publik në Shkodër: forum i hapur
NNinullat e djepit të kulturës jehojnë prej më shumë se një shekulli nëpër faqet e historisë dhe qyteti sot ende mbahet me një jetë të larmishme artistike, të krahasueshme me qendrat e mëdha të Shqipërisë. Mirëpo pasi mbarojnë festivalet, ekspozitat, koncertet, teatrot e shfaqjet e estradës, përballesh me skulptura, monumente, përmendore, lapidarë, shatërvanë e të tjera vepra të artit publik, të cilave nuk ua gjen dot lidhjen me kulturën që e ka bërë të njohur qytetin. Ato janë të dizenjuara, të vendosura, të realizuara në vende jo gjithmonë të studiuara, të pamirëmbajtura ose i bëjnë “karshillëk” njëra-tjetrës me format, teknikat, estetikën dhe mesazhin që mëtojnë të përçojnë në publikun vendas dhe të huaj.
Me këto shqetësime të vjetra dhe aktuale u mblodhën dje artistë dhe arkitektë, specialistë të trashëgimisë kulturore, studentë dhe përfaqësues të shoqërisë civile në Shkodër. Me radhë dhe qytetari, ata diskutuan me njëri-tjetrin dhe me përfaqësues të pushtetit vendor, në mesin e të cilëve znj. Majlinda Angoni, Prefekti i Qarkut Shkodër , si dhe dy anëtarëve të Këshillit të Bashkisë, znj. Brisela Truma Kadija (kryetare e Këshilli Bashkiak Shkodër) dhe znj. Nersada Mandija (anëtare e Këshillit Baskiak). Duke përshëndetur pjesëmarrësit në këtë Forum të Hapur, znj. Eltjana Shkreli tha se ky është i pari në serinë e disa debateve publike që GO2 do të organizojë me artistë dhe eskpertë të fushës për të kontribuuar në ruajtjen dhe zhvillimin estetik të hapësirave dhe sidomos të veprave të artit publik në Shkodër. Më pas, ajo prezantoi katalogun “Arti Publik: Veprat e artit në qytetin e Shkodrës 2021”, realizuar me mbështetjen e Leviz Albania. Në këtë katalog janë përfshirë dosjet paraprake të 48 veprave të artit publik, duke filluar me fotot dhe skicat, titujt, autorët, vitet e realizimit, adresat dhe koordinatat, përshkrimet e formës, të estetikës, kontekstit hapësinor dhe impaktit social, të dhëna për historikun etj. Ndërkaq, në formën e tyre përfundimtare, të zgjedhura me informacione arkivore dhe trajtim nga ekspertë të artit, dosjet e disa veprave ishin paraqitur në formën e një ekspozite. Ndjeshmëria ndaj metamorfozës së disa hapësirave dhe veprave publike të dokumentuara në këtë ekspozitë u bë shkas për fillimin e debatit ende pa hyrë në sallë. Përpara se t’ua jepte fjalën artistëve dhe specialistëve të ftuar, Prefektja Angoni çmoi idenë e thirrjes së këtij Forumi, duke shtuar se ishte shumë e hapur për të dëgjuar nga ekspertët e fushës, ide për gjetjen e rrugëve të duhura për të ndërprerë metodat aktuale të zbatimit të veprave publike, si dhe për të instaluar një kulturë të re të trajtimit të hapësirës publike.
Skulptori i njohur Ferit Kola, autor i disa veprave të rëndësishme të artit në qytet, tregoi me shembuj konkretë joprofesionalizmin me të cilin janë trajtuar veprat dhe autorët e tyre nga përfaqësues të pushtetit në kohë të ndryshme. Piktori Sytki Brahimi e përforcoi më shumë këtë paraqitje, duke u bashkuar me idenë e skulptorit Kola se duhet të ngrihen struktura të posaçme në nivel bashkiak, për të vendosur mbi fatin e veprave të artit ekzistuese në qytet, apo dhe per vendosjen e të tjerave në të ardhmen. Në të njëjtën linjë, skulptori Petrit Bilali dhe arkeologu Helidon Sokoli, specialistë pranë DRTK Shkodër , theksuan nevojën e sanksionimit ligjor të procedurave për vendosjen e një vepre publike, si dhe ndarjen e veprave të protokollit nga veprat e tjera të artit publik, të cilat mund të realizohen edhe nga entitete të tjera. Sipas tyre, ashtu sikurse për një banesë, biznes apo çfarëdo aktiviteti tjetër ekzistojnë procedura të sanksionuara me ligj – e njëjta gjë duhet të garantohet edhe për fatin e veprave të artit. Andi Tepelena, menaxher arti tha se Shkodra është si Venezia për Shqipërinë, dhe se pavarësisht shqetësimeve të ngritura nga artistët gjatë këtij Forumi, gjendja e artit publik paraqitet e përafërt në të gjithë vendin. Ndërsa nga folës të tjerë u soll përvoja pozitive e qytetit të Korçës me skulpturat e parkut dhe me artin publik në përgjithësi, si një model që Shkodra mund ta kishte gjeneruar për shkak të kapaciteteve krijuese artistike që ka. Përmes shembujve ata ndanë përvoja personale të lidhura me autorë dhe me vepra të artit publik në Shqipëri dhe në vende të ndryshme të Europës, duke evidentuar rolin thelbësor që veprat e artit publik luajnë në formimin estetik të njerëzve që zgjedhin të ndajnë jetën e tyre në një qytet.
Pas mbajtjes shënim të disa prej shqetësimeve të artistëve, ekspertëve dhe folësve të tjerë, znj. Mandia dhe Kadia vlerësuan aktivitetin duke shprehur dakordësinë e tyre me disa prej prozpozimeve të bërë në Forum. Ata premtuan angazhimin e tyre personal për ta vazhduar këtë debat në nivelin më të lartë të vendimmarrjes vendore – në Këshillin Bashkiak Shkodër, për të kontribuuar në përmirësimin e situatës.
Gjatë Forumit u diskutuan ide për rivlerësimin e veprave të artit me qëllim zhvendosjen e ndonjërës prej tyre, për vendosjen e veprave të reja në qytet, u dhanë vlerësime dhe konsiderata për disa vepra të dokumentuara në katalogun “Arti Publik” etj. Kështu, përmes ndërhyrjeve të herëpashershme, pjesëmarrësit në Forum diskutuan për mbi 2 orë. E ndërsa shfletuan katalogun e veprave të artit publik në Shkodër, në sallë u shfaqën video dokumentuese të secilës vepër, si dhe video të tjera të realizuara në kuadër të projektit “Arti drejt Publikes” nga organizatat GO2 dhe Art Kontakt. Këto video risollën për të pranishmit punën e bërë gjatë zbatimit të këtij projekti përmes 5 punëtorive: VideoArt, Loja E Drejta mbi Qytetin, LiveArt Performancë, Instalaction dhe së fundmi Arti Publik.