GO2 Albania - Sustainable Urban Planning Organization
Pas udhëtimit stidumor në disa nga fermat e Qarkut Shkodër, gazeta VIJA bisedoi me Prof. As. Dr. Zef Gjeta, agronomin i cili dha ekspertizën e tij në rolin e konsulentit për fermat e agroturizmit, fillimisht në leksionet e mbajtura në Shkollën “Hamdi Bushati”, e më pas në 10 fermat që u vizituan. Në intervistën që vijon, Gjeta evidenton rëndësinë dhe funksionalitetin e këtij udhëtimi, për vizitorët – fermerët e rrjetit të sipërmarrjeve që po mbështeten nga #GO2Innovation, por edhe për fermërët pritës. Duke shprehur kënaqësinë për vizitat e studimore, që dikur bëheshin vetëm jashtë vendit, por që tani mund të realizohen në Qarkun Shkodër dhe kudo gjetkë nëpër Shqipëri, eksperti i njohur thekson nevojën e promovimit të arritjeve të këtyre fermave, sikurse ngre problemin konstant të ndihmës së munguar për fermerët, që nga dokumentacioni bazë i pronësisë së tokjës, e deri te mbështetja financiare.
Zef Gjeta: Kjo është një nismë mjaft interesante dhe e veçantë e cila u vlerësua edhe nga pjesëmarrësit. Mendoj se kombinimi i trajnimeve në sallë me vizitat në terren, ku pjesëmarrësit kanë kontakte direkte me fermerët e suksesshëm, ku ata shikojnë konkretisht arritjet e tyre, dhe ku mund të komunikojnë, të bëjnë pyetje e të lidhin kontaktet. Janë pikërisht këto kontakte që u shërbejnë atyre në aktivitetin e përditshëm, por edhe të krijojnë një lloj “rrjeti” në fushat përkatëse. Duke marrë parasysh këto të mira që vijnë nga kontaktet e konsulenca në terren, mund të thuhet se vërtetë ishte një zgjidhje pozitive dhe interesante.
Në fillimet e punës në drejtim të ekonomisë së tregut, menjëherë pas përmbysjes së sistemit të kaluar, në mungesë të shembujve konkretë për t’u parë në vend, fermerët i dërgonim në vendet fqinje: Itali, Francë, Greqi, etj. Pra, kaq vlerësoheshin e çmoheshin (me të drejtë) vizitat studimore dhe trajnuese në fermë, saqë harxhoheshin shumë parà për këtë qëllim. Ndërsa tani, që i kemi shembujt në vendin tonë, është mirë që të shfrytëzohen mundësitë që këto udhëtime studimore të realizohen.
Mendoj se të gjithë pjësëmarrësit përfituar, përfshi edhe veten time edhe ju si organizatorë. Por meqënëse fokusi ishte në vizitën në ferma, jam i mendimit se fermerët pjesëmarrës ishin pikërisht ata që përfituan më shumë.
Fermerët pjesëmarrës panë e dëgjuan për zgjidhje të zgjuara apo praktike, për investime efikase që ata kishin realizuar, apo edhe për orientim të orientuar nga tregu. Nëpërmjet pyetjeve që pjesëmarrësit u bënë sipërmarrësve që ne vizituam, morën përgjigje edhe për dilema apo vështirësi që ata kishin ndeshur në punën e tyre. Por unë dëshiroj që t’i vendos theksin njohjes më mirë të aktorëve që janë në treg, si dhe shkëmbimit të kontakteve dhe eksperiencave.
Një shoku im i fakultetit ka bërë studim të thelluar në lidhje me konceptin e fermës dhe ai ka arritur në konkluzion se fermë duhet të quhet ajo sipërmarrje në bujqësi që arrin të dalë në treg me së paku 50% të prodhimit të saj. Në këtë kuptim, fermat që vizituam, e meritojnë emrin fermë, apo edhe sipërmarrje biznesi. Në kushtet e fermave tona, përveçse menaxher, pronari duhet që të punojë edhe vetë direkt në fermë. Kjo është logjike, pasi këto biznese janë në hapat e tyre të parë dhe që të rriten, kërkohet punë e madhe. Fermat që vizituam, përveç kontributit për familjet e tyre, janë bërë “lokomotiva” të zhvillimit në zonat e tyre dhe më gjerë: baxhoja mbledh qumështin dhe nxit fermerët të shtojnë numrin e krerëve, kantinat grumbullojnë rrushin dhe nxisin rritjen e sipërfaqes dhe të cilësisë, prodhimi i fidanave nxit shtimin e sipërfaqes së mbjellë me bimë mjekësore, etj.
Për fatin e mirë, te të gjitha fermat që vizituam pashë ndryshime pozitive. Shkalla e përmirësimit të tyre ishte e ndryshme, por secila prej tyre kishte bërë një apo disa hapa progresi, duke: përmirësuar prodhimin, rritur rendimentin, përmirësuar paketimin dhe etiketimin, shtuar investimin, rritur numrin e të punësuarve, etj. Pra, tendenca e përmirësimit dukej dhe ky është drejtimi në të cilin ato duhet të ecin.
Tani, që i kemi shembujt në vendin tonë, është mirë që të shfrytëzohen mundësitë që këto udhëtime studimore të realizohen.
– Zef Gjeta, agronom
Për ndihmën ndaj fermave dhe fermerëve flitet shumë, por në realitet ndihmesa është shumë larg nevojave. Ndaj si në kohë normale, e aq më shumë në këtë kohë pandemie, kërkohet të shtohet ndihma konkrete dhe direkte ndaj bujqësisë dhe fermerëve, por kërkohet edhe ndihmesë indirekte si: paisja e fermerëve me dokumentacionin e pronësisë, përmirësim i klimës së biznesit, përmirësim i infrastrukturës, kredi me interesa të favorshme etj.
Një pjesë e fermave e kishin të zgjidhur problemin e daljes në treg, ndërkohë që disa prej tyre kishin akoma probleme për të arritur deri te konsumatori. Prodhimet e fermave që vizituam ishin të cilësisë të pranueshme e deri shumë të mirë, por nuk janë akoma markë, nuk njihen sa dhe si duhet nga konsumatori, si dhe ka probleme të shumta në lidhje me zinxhirin e tregut.