Laboratori Multimedial në Artin drejt Publikes
LLaboratori Multimedial e nisi punën me studentët e Gjimnazit “Hasan Riza Pasha” dhe grupin “Natyralistët” përmes njohjes me konceptin mbi videot, mënyrën e punimit të tyre përmes telefonave inteligjentë dhe programeve soft. Z. Tepelena foli mbi aktivizmin, asaj çka është publike dhe ‘arti’, si formë gjithëpërshirjeje dhe ndërgjegjësimi.
Gjatë takimit të parë me grupet e studentëve të zhvilluar në ambientet e shkollës dhe zyrave të organizatës GO2, artisti Eros Dibra trajtoi më shumë qasjen mbi konceptin e videove mbi hapësirën publike, objektet e braktisura me identitet të fortë për komunitetin e qytetin, probleme socio-urbane, si subjekte të videoart-eve që studentët do të realizojnë në kuadër të #ArtidrejtPublikes. Ai solli video – punime të mëparshme duke renditur aspekte të videos, si fotografi, audio, sekuenca, subjekte dhe çështje teknike mbi xhirimet, të cilat do të jenë referenca gjatë procesit të punës.
Pas reflektimit të studentëve mbi tematikat kryesore që mund të përbënin subjektet e videove artistike, si: hapërsira publike, godina publike të braktisura, trashëgimia kulturore, mjedisi natyror dhe hapësirat e gjelbërta, grupi i punës zhvilloi një takim online për të konkretizuar idetë mbi çështjet që do të trajtohen.
Gjatë takimit, pjesëmarrësit e Laboratorit Multimedial diskutuan mbi vëzhgimet dhe këndvështrimet e tyre për qytetin, duke u asistuar nga mentorët, të cilët zgjodhën të mos ua ndikojnë studentëve qasjen ndaj zgjedhjes që kanë bërë. Z. Tepelena dhe z. Dibra i inkurajuan grupet e studentëve për mprehjen e të menduarit kritik qytetar mbi mjedisin përreth. Përveç këtyre takimeve online, studentët dhe mentorët kanë komunikuar intensivisht edhe në grupe platformash sociale të krijuara për këtë qëllim, duke marrë udhëzime dhe referenca në lidhje me punimet e videove që duan të realizojnë.
Punëtoria VideoArt e projektit #ArtiDrejtPublikes shkoi drejt konkretizimit përmes diskutimeve mbi ecurinë e fazave të ndryshme të punës të studentëve të gjimnazit “Hasan Riza Pasha” dhe grupit “Natyralistët” dhe lehtësuesvë. Në një nga këto takime, të zhvilluar në mjediset e Organizatës GO2, studentët prezantuan idetë që do të materializojnë përmes videove, ndërsa lehtësuesit u dhanë udhëzime për teknikat e xhirimit dhe të editimit, varësisht prej veçantive me të cilat do të përballen në terren. Studentët ndoqën me vëmendje sugjerimet për rëndësinë e punës kërkimore që duhet të bëjnë për t’i kuptuar vetë dhe për t’i bërë të kuptueshme për publikun problematikat e zgjedhura prej tyre.
Me telefonat si mjet aktivizmi, pjesëmarrësit hulumtuan hapësirat e qytetit për realizimin e videove, duke u bazuar te konsultimet me lehtësuesit për planin e punës, si dhe duke përballuar me zgjuarsi të papriturat që ofron terreni. Përmes takimeve online ata morën komente dhe sugjerime, pasi kanë hedhur në programet përkatëse draftet e para të videove. Objekt i këtyre diskutimeve ishin pa dyshim aspektet teknike, por po aq të rëndësishme janë edhe të përmbajtjes, në lidhje me nevojën për të përfshirë në video këndvështrimet dhe përjetimet e komunitetit. Pasi kanë reflektuar sugjerimet përmes zgjedhjes së sheshxhirimeve dhe planeve, audios dhe efekteve të tjera që mundëson kjo teknikë artistike, videot u futën në post-production për t’i përgatitur për publikun.
Në Laboratorin Multimedial, i cili u zhvillua në kuadër të projektit Arti drejt Publikes u angazhuan 32 studentë të Gjimnazit jo-publik “Hasan Riza Pasha” dhe grupit “Natyralistët”, të cilët përgjatë 5 javëve realizuan 12 video me një kohëzgjatje 1-2 minuta. Duke reflektuar këndvështrimet e tyre dhe të lirë në qasje ndaj koncepteve, pjesëmarrësit trajtuan ndër subjektet kryesore jetën urbane dhe mjedisin. Publiku do të njihet me punën e studentëve përgjatë maratonës së premierave të videove çdo mbrëmje nga datat 15-26 Prill përmes kanalit të YouTube të organizatës GO2.