“Lumi” – filmi më i mirë i realizuar nga fëmijët
Filmi vizatimor “Lumi” vlerësohet me çmimin e Jurisë së Fëmijëve në edicionin e 9-të të A-Fest Film Rozafa 2018
Filmi vizatimor “Lumi”, një produksion i organizatës GO2, vlerësohet me çmimin e Jurisë së Fëmijëve në edicionin e 9 të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Vizatimor #AFestFilmRozafa. Festivali u organizua në #Shkodër më 16-23 Maj 2018 nga OJQ “AniFest” nën drejtimin e kineastit të njohur z. Artan Maku. I realizuar nga fëmijët e moshave 9-14 vjeç, u vlerësua si më i miri në kategorinë “Best Animation by Children”.
Çmimi iu dorëzua fëmijëve, të cilët janë njëkohësisht edhe autorë të këtij filmi, në ceremoninë e mbylljes së festivalit, të Mërkurën në Shkodër. Në A-Fest Film Rozafa të këtij viti konkurruan 1200 filma nga 103 shtete, nga ku organizatorët përzgjodhën 173 filma, të cilët u shfaqën në kinema “Millennium” të Shkodrës në 16 programe (kategori) të ndryshme, përgjatë 8 ditëve të Festivalit. Për vlerësimin e kësaj krijimtarie të bollshme nga e gjithë bota ishin ngritur 4 juri: Juria e Fëmijëve, Juria e Studentëve të Arteve, Juria e Studentëve të Psikologjisë dhe sigurisht, Juria Ndërkombëtare.
Secila prej jurive zgjodhi disa filma fitues të cilët në total ishin 11. Gjerografia e fituesve shkon nga Tailanda, Republika Çeke, Gjermania, Shqipëria, Franca, Rusia, Bullgaria, Italia dhe Belgjika, ndërsa me çmimin e madh të Festivalit u vlerësua filmi “The Motorbike” i regjisorit bullgar Valentin Goshev. Risia e këtij edicioni të A-Fest Film Rozafa ishte përfshirja për herë të parë në këtë festival tradicional, e filmit me metrazh të gjatë – adresuar për adoleshentët.
Me rastin e pjesëmarrjes në këtë festival, organizata GO2 si producente e filmit “Lumi”, shpërndau për fëmijët nga një DVD të filmit “Lumi”, të filmit shoqërues “Si u bë filmi Lumi”, si dhe nga një numër të gazetës për Zonat e Mbrojtura VIJA kushtuar realizmit të filmit.
Filmi “Lumi” (176”) u realizua përgjatë një punëtorie njëjavore (4-9 Qershor 2017), të zhvilluar në ambientet e organizatës GO2 në Shkodër. Punëtoria zgjati 60 orë dhe në të morën pjesë 16 fëmijë, 3 kineastë e profesionistë, grupi i asistentëve dhe 1 psikologe. Procesi kaloi disa faza: skenari, dekori, xhirimet dhe montazhi, të gjitha të realizuara nga vetë fëmijët.
Filmi ka për qëllim ndërgjegjësimin e komunitetit për mbrojtjen e lumenjve dhe vlerat natyrore të tyre. Ai ka një fabul të thjeshtë: Fëmijë që lahen, luajnë dhe i gëzohen çdo ditë lumit të tyre, deri ditën kur në shtratin e tij nis hedhja e inerteve dhe mbeturinave të tjera të rrezikshme. Këto mbeturina e inatosin lumin, i cili shfryn ndaj kësaj padrejtësie që i bëhet natyrës, duke përmbytur dhe duke marrë me vete edhe ndërtimet në shtratin e tij. Megjithatë, filmi ka përfundim pozitiv, sepse kthimit në gjendjen e mëparshme, natyra u buzëqesh përsëri fëmijëve, duke i ftuar ata të luajnë me lumin.
Premiera e filmit “Lumi” (“The River”) – të realizuar në kuadër të projektit ndërkufitar Shqipëri- Kosovë CRESSIDA Project AL-KS “Pollution of Drin River Bassin from urban ëaste” financuar nga US EPA dhe zbatuar nga REC Shqipëri dhe GO2 – u shfaq paraditen e 9 Qershorit 2017, në kinema #Millennium Shkodër. Shfaqja e tij ngjalli interesin e prindërve, mësuesve, nxënësve, miqve, familjarëve dhe komunitetit të Shkodrës, ndërsa ceremoninë e përshëndetën z. Mihallaq Qirjo nga REC Shqipëri, z. Jose Zambrana përfaqësues i Agjencisë Amerikane të Mjedisit (US EPA), si dhe z. Lek Kadeli përfaqësues i Bankës Botërore.
Puna njëjavore e fëmijëve të angazhuar në punëtorinë për reazlimin e filmit vizatimor “Lumi” u dokumentua në një tjetër film “prapaskenë” me titullin “Si u bë filmi Lumi” (“Making of Lumi”).