Mentorimi, një dritare mundësie për sipërmarrësit në epokën e pandemisë
BBashkë me fillimin e Qershorit kanë nisur edhe seancat e mentorimeve për 17 sipërmarrës të turizmit dhe agrobiznesit në Qarkun Shkodër. Bizneset janë përzgjedhur në varësi të performancës së tyre që prej fillimit të angazhimit në #GO2Innovation. Shërbimi i mentorimit po u ofrohet gjithashtu edhe disa sipërmarrësve të tjerë nga Qarku Shkodër, kryesisht studentë të Shkollës së Mesme Profesionale “Hamdi Bushati” në Shkodër – të rinj në fazën e start up-eve, të cilët dëshirojnë t’i çojnë më tëj idetë e tyre të biznesit, duke e çuar në 23 numrin e të mentoruarve.
I ofruar në mesin e krizës më të madhe të sektorit të turizmit, mentorimi po shihet nga sipërmarrësit si një mundësi që i orention ata për gjetjen e mënyrave inteligjente për përshtatjen dhe ringritjen e bizneseve gjatë dhe pas pandemisë.
Bizneset që po mentorohen i përkasin një spektri shumë të gjerë të shërbimeve dhe produkteve të turizmit dhe agrobiznesit, si komplekset e mëdha turistike, hotelet, restorantet dhe bujtinat në zona urbane dhe rurale, aktivitetet në natyrë dhe guidat turistike kulturore, vreshtaria dhe proidhimi i verës, kultivimi i perimeve, bimëve mjekësore aromatike dhe krimbit të mëndafshit, mbarështimi i të imtave, përpunimi i tezgjahut dhe drurit, frutave dhe perimeve etj.
Duke punuar kryesisht përmes metodës cilësore të intervistimit në takime të drejtpërdrejta dhe online, si dhe me vëzhgimet në terrenin ku zhvillohen bizneset, mentorët po punojnë për evidentimin e nevojave për ndërhyrje emergjente. Kështu, ndonëse me natyra dhe nivele të ndryshme zhvillimi, mentorimi për shumë sipërmarrës është thelluar në strukturimin e ideve të biznesit për të ndihmuar në krijimin e një kuptimi më të plotë të sipërmarrjes dhe sipërmarrësit. Ndër problematikat e përbashkëta të disa prej sipërmarrësve është prirja për të vazhduar me investime pa i funksionalizuar plotësisht asetet ekzistuese të bizneseve të tyre. Edhe në një kohë normale, por sidomos në një periudhë krize si kjo e pandemisë së koronavirusit, investime të tilla ad-hoc ulin likuiditetin e biznesit në plan afatshkurtër, ndërsa në plan afatgjatë, shtyjnë hyrjen e biznesit në treg, e rrjedhimisht edhe kohën e kthimit të investimit. Një problematikë e ngjashme, e hasur në më pak biznese është mosorientimi i sipërmarrësve në treg, duke bërë që disa prej tyre të luhaten mes dëshirës për të ofruar sa më shumë produkte/shërbime dhe pamundësisë për t’i ofruar realisht ata, e madje edhe mungesës së efiçencës së ofertës ekzistuese. Për të mos folur për frikën për të ardhmen e biznesit dhe çorientimin e përgjithshëm demoralizues nga kriza e pandemisë, të cilën sipërmarrësit po e vuajnë në mënyrë të shumëfishtë, pasi edhe përgjegjësia e atyre që kanë më shumë të punësuar është edhe më e madhe.
Një tjetër problematikë e përbashkët e disa sipërmarrjeve që po mentorohen në #GO2Innovation është prania sporadike në tregun virtual ose mungesa e plotë e qasjes në teknologjinë e informacionit.
Në disa raste mungojnë njohuritë bazë dhe besimi në marketingun dixhital. Për disa sipërmarrës të bizneseve të vogla familjare kjo është e kuptueshme për shkak të angazhimeve të tyre të lodhshme në punët e përditshme, por për biznese të konsoliduara situata duhet të ndryshojë.
Mentorimi po i orention ata për gjetjen e mënyrave inteligjente për përshtatjen dhe ringritjen e bizneseve gjatë dhe pas pandemisë.
Pikërisht për të ndihmuar në të kuptuarit e domosdoshmërisë së këtij ndryshimi në kushtet e krizës së sektorit të turizmit, sipërmarrësit janë ftuar në seanca të njëpasnjëshme mentorimi me mentorë dhe ‘coach’ të çertifikuar, shumica e të cilëve vijnë nga bota e biznesit. Si të tillë, mentorët kanë përkrahur nismat e sipërmarrësve për ndryshim, sikurse kanë përgëzuar arritjet e tyre të deritashme. Kështu, një sipërmarrës po punon për ta përfshirë fermën e tij në itinerarin e një udhëtimi natyror, duke e krijuar vetë paketën turistike në Malësi, një artiste e re dëshiron që t’i ftojë turistët të shohin dhe dëgjojnë një performancë muzikore në oborret e shtëpive karakteristike shkodrane, ndërsa një tjetër dëshiron të hapë një atelie arti; një sipërmarrëse dëshiron të krijojë një muze të punimeve të tezgjahut në bujtinën e saj, e një tjetër ka planifikuar të marketojë qytetin e tij si një destinacion tërheqës turistik duke shtuar një udhëtim me motora 4×4 në rrugët malore.
Në këtë mënyrë, mentorimi i ofruar në #GO2Innovation po i ndihmon bizneset duke ua stimuluar sipërmarrësve anën e tyre pozitive: energjitë dhe optimizmin për përballimin e krizës, por njëkohësisht do t’i ndihmojë ata në menaxhimin sa më mirë të burimeve njerëzore dhe të kapitaleve, duke i motivuar për të gjetur qasje të reja në treg.