Në Shkodër për Artin Performativ zyrtarisht të panjohur në Shqipëri
Ornela Alia, artiste
PPerformance art ose arti performativ është një zhanër interdisiplinar që daton që në vitet 1910 me artin avant garde, i cili lindi falë grupeve shoqërore të krijuara nga artistë të ndryshëm. Është një formë arti që nisi si “revoltë” kundër rregullave dhe mënyrës së bërjes së artit, duke i dhënë një liri të madhe krijuesit. Performance art ka disa elementë të paracaktuar si psh., kohën, hapësirën, vendin, trupin dhe prezencën e artistit, si dhe lidhjen me audiencën. Është e lidhur ngushtë me happening art, ose e thënë në shqip art që po ndodh. Mund të shfaqet në muze e galeri, në rrugë ose çdo vend ose hapësirë tjetër. Sikurse u theksua, arti perfomativ lindi falë hapësirave të përbashkëta të frekuentuara nga artistët, sidomos ata dadaiste, ku eksperimentet dhe ndarja e eksperiencave të përbashketa rezultoi në krijimin e një zhanri të ri artistik. Performanca ka një rëndësi të veçantë në botën e artit e më gjerë, për shkak të përdorimit të trupit njerëzor, i cili arrin të komunikojë drejtpërdrejtë me audiencën, gjë që e rrit mundësinë për reagim. Një nga artistët që theu muret e performancës si formë artistike me format e tjera ishte Jackson Pollock, i cili me mënyrën e tij shumë të veçantë të të pikturuarit i dha rëndësi “të vërtetës” që qëndron pas produktit, pra procesit krijues. Kështu filloi edhe të zgjohej një interes për procesin krijues në studion e artistit dhe jo vetëm për punën përfundimtare. Performanca synon pikërisht të kundërshtojë të vërtetën e mirëqenë, idealizmat universale apo dhe rregulla artistike që konsiderohen të pakundërshtueshme. E nxitur shumë nga ngjarjet sociale të asaj kohe, si dy Luftërat Botërore, varfëria e shumë probleme të tjera, tematikat e veprave artistike i drejtoheshin këtyre problematikave. Prandaj dhe artistët e viteve ’70-të u bënë shkak për shumë ndryshime në lidhje me seksualitetin, të drejtat e gruas, të drejtat e minoriteteve, duke qenë se këto ishin debate që duheshin nxitur në shoqëri. Një nga performancat më të famshme është ajo e Yoko Ono dhe John Lennon në 1969 Bed Peace, që synonte të adresonte fenomenin e luftës dhe dëshirën për paqe në botë, një dëshirë që reflektohej te të rinjtë dhe shoqëria e asaj kohe.
Arti Performativ në Shqipëri
Përsa i përket performancës në Shqipëri dhe rëndësisë së ketij zhanri nuk ka shumë për të thënë. Akademikisht nuk është zhaner qe studiohet në Shqipëri dhe për pasojë as hapësira që i lihet nuk është e gjerë. A është e rëndësishme ta zhvillojmë performancën në vendin tonë? Patjetër. Sikurse u përmend më sipër, është një formë artistike që thyen barriera mes artistit dhe audiencës dhe audienca shqiptare ka nevojë për një lidhje më të ngushtë me artistin dhe me vetë artin. Një nga artistët shqiptarë që mund të përmenden është Astrit Ismaili, me origjinë nga Kosova. Një nga punët e Astrit Ismailit është ajo “Love Research” e performuar nga alter egoja Pregnant Boy. Përmes kësaj performance Ismaili adreson një sërë problematikash sociale, si LGBTQ+, të pastrehët, të moshuarit, dhe problematikën e përkatësisë kombëtare. Të gjitha këto janë pjesë e botës ku jetojmë dhe tejet të prekshme.
Është shumë e rëndësishme që publiku shqiptar të përballet me forma të ndryshme artistike, dhe është e rëndësishme që punë të tilla të udhëtojnë në të gjithë vendin, e jo të përqendrohen vetëm në kryeqytet. Nëse aktivitete të tilla bëhen në mënyrë konstante, me siguri që shumë të rinj do të kishin interes për pjesëmarrje.
Performanca “Bring On The Alternative”
Përsa i përket idesë fillestare për performancën “Bring On The Alternative”, ajo lindi nga një diskutim i thjeshtë gjatë Punëtorisë, kur unë tregova një histori rreth një hapesire sociale që kisha hasur në një kryeqytet europian. Koncepti i gjithë performancës është një kërkesë për të krijuar hapësira sociale, të lira, me qëllim kryesor socializimin e të rinjve kryesisht, por jo vetëm, si dhe eksperimintimin artistik, qoftë muzikor, pamor, apo performativ. Pasi hulumtuam qytetin, kuptuam që hapësira të tilla nuk ekzistojnë në Shkodër edhe pse ndërtesat e braktisura, jofunksionale janë të panumërta. Synimi ynë ishte të vinim në funksion ambiente që në këto momente nuk kanë asnjë përdorim. Ndërtimi i gjithë performancës ndodhi në mënyrë organike, secili pjesëmarrës sugjeroi e kontribuoi shumë natyrshëm.
Kishte vështirësi gjatë diteve të Punëtorisë, sepse të rinjtë ishin në mëdyshje nëse puna që po bënin kishte kuptim. Jam munduar t’u prezantoj performancën si mjet ekpresiv më shumë sesa nje formë tipike artistike. Të gjithë si grup jemi përballur me mentalitetin konservativ të qytetit dhe të shoqërisë ku jetojmë. Të perdorësh trupin si mjet shprehës, të kërcesh në rrugë përballë kalimtarëve, të jesh mendjehapur në një pikë ku nuk takohesh me realitetin, të gjitha këto e vështirësojnë procesin, por edhe e bëjnë sfidues në një mënyrë të bukur, ku secili mëson diçka të re.
Enia, një 15-vjeçare me shumë botë, e gatshme të eksperimentojë me gjëra të panjohura më parë. Jashtëzakonisht pozitive dhe mbështetëse për të gjithë shokët e grupit.
Vito shumë i apasionuar me teatrin dhe herë pas here na është dashur ta nxjerrim nga ajo botë dhe ta prezantojmë me performancën (edhe pse botë të ngjashme).
Erseda, një vajzë shumë e hapur dhe e sinqertë që ne momentin e parë. Një “breath of fresh air” që u bë pjesë e grupit dukë dhënë e marrë shume nga i gjithë procesi krijues.
Artenisa kishte here pas here dyshime për punën që po bënim dhe s’kishte frikë ta shfaqte pasigurinë. Shume pozitive dhe e gatshme të provonte gjëra të reja.