Një vëmendje për artin publik
VVeprat e artit në hapësirën publike janë dëshmi e marrëdhënies së një qyteti me vetveten, me kulturën, traditën, historinë e tij. Në Shkodër, këto vepra përbëhen kryesisht nga skulpturat dhe disa lapidarë të trashëguar nga totalitarizmi, si dhe disa përpjekje për të sjellë një frymë bashkëkohore në teknika të reja.
Por sa vepra të tilla arti ka qyteti? Ku gjenden ato dhe në ç’gjendje janë? Kush i ka realizuar dhe kujt i kushtohen? Në ç’kontekst hapësinor ngrihen dhe cili është impakti I tyre social? Çfarë funksioni kryejnë dhe cili është mesazhi që përcjellin për njerëzit dhe për qytetin? Për t’u dhënë përgjigje këtyre dhe ndoshta shumë pyetjeve të tjera, organizatat GO2 dhe Art Kontakt zhvilluan punëtorinë ‘ART në QYTET’ me studentë të arkitekturës dhe urbanistikës të Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës, UPT dhe Universiteti Epoka përmes mbledhjes së të dhënave në terren dhe në tryezë, me qëllim inventarizimin e katalogimin e veprave të artit në hapësirën publike të qytetit të Shkodrës. Këto vepra arti do të hartëzohen dhe interpretohen edhe falë angazhimit të specialistëve të fushës, artistëve, studiuesve të artit etj.
30 vitet e tranzicionit kanë sjellë një braktisje e shkatërrim të hapësirës publike, si në mirë-projektim, ashtu edhe në menaxhim të saj. Moskontrolli i të mirës së përbashkët tërë këto vite ka sjellë cënimin e pronësisë duke e transformuar nga publike në private, duke pushtuar hapësirën publike, duke i ndryshuar formën e saj fizike pa rregulla dizajni apo peisazhi urban. Tërë këto ndërhyrje kanë sjellë një përdorim e menaxhim të saj aspak të mirë, pjesë e të cilave janë edhe veprat e artit – shpesh të vendosura pa respektim të sfondit urban apo kontekstualizimit. Për të arritur në një përfundim e mendim të bazuar në fakte, mbledhja e të dhënave për veprat në hapësirën publike ka qenë një sfidë, pasi institucionet vendore, si Bashkia Shkodër apo Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër nuk kanë informacione të plota, të përditësuara mbi tërë këtë pasuri artistike në funksion të hapësirës publike. Prandaj shumë informacione janë mbledhur nga drejtpërdrejt nga terreni, nga intervistat me artistët/arkitektë e urbanistë lokal, nga shkrime e referenca në shtypin e hershëm të kohës në veçanti para viteve ’90-të, pasi në tranzicion ky zakon i përditësimit ka humbur.
Punëtoria për Veprat e Artit në hapësirën publike nuk mund të ishte e plotë pa bisedat me artistët, të cilët i falenderojmë për solidaritetin dhe atmosferën bashkëpunuese që shfaqën me studentët e Arkitekturës dhe Planifikimit Urban. Gjatë këtyre bisedave, artistët Hilmi Tafa, Ferid Kola, Petrit Bilali dhe Nermin Shurdha, ndanë përvoja, pikëpamje dhe informacione të rëndësishme për gjendjen e artit publik në Shkodër, si dhe për kontributin e kolegëve të tjerë, veprat e të cilëve janë tashmë pjesë e panoramës së qytetit.
Zhvillimi i veprave të artit i përket kryesisht dy epokave: 1945-1990 dhe 1991-2020 si dy kohë të ngjashme në formë, por të ndryshme në përmbajtje pasi njerëzit të cilët i ideuan dhe i formësuan këto vepra ishin po të njëjtët artistë/urbanistë/arkitektë ne mendësi e sjellje, por rregullat shoqërore ishin në kohë të ndryshme. Nëse në epokën e parë kishte një censurë e autoritarizëm absolut, por nën rregulla të respektimit të peisazhit urban mjaft të mirëdizenjuar, në epokën pasuese liria e krijimit ishte pa kushte e nën liri të plotë, por nën një proces dizenjimi amator e pasionesh diletante të njerëzve partiake nën hijen e institucioneve vendore lokale. Për të përcjellë më fakte ndryshimin, na është dashur të evidentojmë objektet një për një, me të dhëna që vështirë të gjenden e të verifikohen, por që do shërbejnë për të konkluduar një mendim kritik e analitik mbi situatën aktuale në qytet. Kjo do mund të hapë perpsektiva për një planifikim të hapësirave publike, qoftë në dizenjim, në estetikë, në menaxhim në të ardhmen. Pasi kultura e një komuniteti është e mirë e përbashkët dhe kjo duhet të reflektohet më së miri nga mjedisi i përbashkët urban – me qëllim përmirësimin e ndjesisë së përkatësisë, të mirëqënies dhe cilësisë së jetesës.