Njihuni me profilet e 10 fermave të udhëtimin studimor
PARKU I BLETËVE TË JAK PACANIT
Fshati Naraç, pranë Kishës, Vau i Dejës, 4008 (+355 68 206 7637)
Ferma ndodhet në fshatin Naraç të Bashkisë Vau i Dejës, në një distancë rreth 2.5 km larg rrugës kryesore Shkodër – Vau i Dejës. Nje fermë përfaqësuese e zonës me prodhime mix, por me një përqëndrim të aktivitetit në dy drejtime kryesore: Bletari dhe Vreshtë. E nisur me 3 familje bletësh, sot ky Park ka 50 koshere dhe prodhon deri rreth 1200-2300 kg mjaltë në vit. Jak Pacani është agronom dhe aktivitetin e kultivimit të vreshtarisë e ka filluar qysh herët, ndërsa prej vitesh, ai nxjer në treg 24 mijë shishe verë nga 4 varietete rrushi të mbjellë në 5 hektarë.
FERMA E AHMET SULEJMANIT
Fshati Obot, Nj. A. Oblikë, Shkodër, 4017 (+355 67 370 2456)
Vetëm 200 m nga rruga nacionale Shkodër – Muriqan, në fshatin Obot gjendet ferma familjare e Ahmet Sulejmanit. Në këtë fermë që i ka dhënë emrin edhe strukturës akomoduese, dominon shega (si frut i freskët dhe i përpunuar në formë lëngu), e më pas mandarinat, por edhe perimet e stinës dhe frutat tradicionale. Ferma ka 200 rrënjë shegë me prodhimtari vjetore nga 10-40 kg për copë, nga i cili prodhohet vetëm rreth 150 litra lëng, ndërsa pjesa tjetër tregëtohet i freskët.
FERMA E MUJO TOKËS
Fshati Shtoj i Vjetër, Nj. A. Rrethina, Shkodër, 4001 (+355 69 748 1665)
Ndër prodhuesit më të madh të kivit në zonën e Shkodrës, ferma 3.5 hektarëshe e Mujo Tokës është një biznes familjar që kultivon edhe luleshtrydhe, lajti, qershi etj. Prodhimi vjetor i lyleshtrydheve (brenda serës prej rreth 1.2 dynym) është 2.5 ton, ndërsa kivi prodhohen mbi 4 ton. Rezultate të tilla e kanë bërë këtë fermë model që po ndiqet edhe nga banorët e tjerë të fshatit Shtoj i Vjetër në Rrethinat e Shkodrës.
FERMA E HILMI ZENELIT
Lagjja Bahçallëk, Shkodër, 4001 (+355 69 372 1220)
Fermeri Hilmi Zeneli është ndër të parët që ka kultivuar rukolën në Qarkun Shkodër. Ai ka dyfishuar sipërfaqen e serës për të siguruar prodhimin tre herë në vit të kësaj perimeje tepër të kërkuar nga tregu, por edhe të domateve të vogla si qershi dhe si kumbulla, majdanoz, disa lloje sallatash etj. Ky biznes familjar shtrihet në gati 2 hektarë, rreth gjysma e të cilës është me sera.
FERMA E IS’HAK BAJRAMIT
Vukatanë, Nj. A. Guri i Zi, Shkodër, 4016 (+355 67 293 5771)
Fermë e njohur, ndër më të hershmet në Vukatanë për prodhimet e perimeve. Si biznes familjar, kjo fermë ka nisur me kultivimin e disa lloje perimesh, por kërkesa e tregut ka bërë që Is’hak Bajrami të përqendrohet sidomos te sallata e gjelbër, bimë me të cilën mbillet gjatë gjithë vitit rreth 3500 m2 serë. Ndërsa shumica e 1500 m2 tokë është mbjellë me një shkurre të Amerikës Veriore, të natyralizuar në Europë, frutat e vogla të së cilës përmbajnë antioksidantë më shumë se asnjë bimë tjetër në planet. Është aronia.
VRESHTA E SHAQIR HYSËS
Koplik Qendër, Malësi e Madhe, 4301 (+355 67 341 7354)
Rrushi i mbledhur nga 6 hektarët me vreshta të familjes Hysa në Koplik është lënda e parë për prodhimin e rreth 20.000 shisheve verë në vit. 3 llojet e verës së prodhuar nga kjo vreshtë ku dominon varieteti vendas Kallmet, tregëtohen në restorante dhe markete. Megjithatë për të rritur cilësinë e verës, pronarët po mendojnë ta zëvendësojnë një lloj rrushi italian me varietete tjera të vendit.
FERMA SALVIA NORD
Koplik i Sipërm, Malësi e Madhe, 4303 (+355 69 376 6804)
Ndër pionieret e kultivimit të sherebelës dhe bimëve aromatike mjekësore në Malësinë e Madhe, ferma ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 10 hektarësh, 7 ha nga të cilët mbillen sherebelë për përpunim, 1 ha lavandë dhe 1 ha makth (helicrisium) dhe 1 ha shërben si farishte-fidanishte për prodhimin e fidanëve të sherebelës autoktone. Modeli i fermerit Agim Ramaj është përqafuar aq shumë nga fermerët, sa sot në Malësinë e Madhe kultivohen 3500 hektarë me sherebelë dhe rreth 600 hektarë me bimë të tjera aromatike.
ULLISHTE NË ZADRIMË
Fshati Krajën, Nj. A. Blinisht, Lezhë, 4505
Në vendin ku më 1999 u pritën dhe u strehuan rreth 1000 refugjatë shqiptarë nga Kosova, janë mbjellë rreth 300 rrënjë ullinj të llojeve Kalinjot, Frantojo, Lulcin dhe i Bardhi i Shkodrës. Ullinjtë e mbledhur nga kjo ullishte, por edhe nga rreth 100 familje të tjera të Zadrimës, përpunohen me kapacitet 5kv/orë, në pikën më të afërt të prodhimit të vajit.
BAXHO RAPSODIA
Fshati Krajën, Nj. A. Blinisht, Lezhë, 4505 (+355 68 294 7771)
Një baxho modeste prej 300 m2, e nisur rreth 10 vjet më parë, por që ka ardhur duke u rritur gradualisht, duke shtuar njëkohësisht edhe gamën e produkteve. Aktulisht kjo bazho mbledh prodhimin ditor të qumështit tërreth 200 familjeve të zonës së Zadrimës. Planet e pronarëve janë për shtimin e hapësirave dhe rritjen e kapaciteteve përpunuese, që tani është rreth 4 ton qumësht në ditë.
FABRIKA E PËRPUNIMIT TË PESHKUT 'MARE ADRIATIK'
Fshati Shelqet, Vau Dejës, 4027 (+355 69 373 7312)
Një nga sipërmarrjet që ka angazhuar më shumë fuqi punëtore në bashkinë rurale të Vau Dejësit është fabrika e përpunimit të açuges në Shelqet. 200 punëtorë kryejnë përditë procese të shumta për përpunimin e këtij peshku që vjen nga vende të largëta si Peruja e Argjentina. Edhe prodhimi final, i ambalazhuar në enë qelqi të madhësive të ndryshme, është i destinuar për tregjet e huaja, kryesisht europiane.