
Park i ri Kombëtar, sfida të reja për aktorët e mjedisit Kelmend

Përveç peizazheve madhështore, thyerjet e befta të terrenit kanë formuar përgjatë historisë luginat e lumejve alpinë, në të cilat gjendet një biodiversitet i vlerësuar si inventari më i pasur i florës në Ballkan. Për këtë arsye, dhe sidomos për veçantitë kulturore, disa prej vendbanimeve në Alpe janë vizituar që prej më shumë se një shekulli, por masivizimi i turizmit pas Luftës së Dytë Botërore në botë, e gjatë dy dekadave të fundit në Shqipëri, ka shtuar sfidat e menaxhimit të parqeve natyrore nga Administrata e Zonave te Mbrojtura, Shkodër. Prandaj, përmes një projekti të mbështetur nga Prespa Ohrid Nature Trust – PONT organizatat mjedisore GO2, IKR dhe Qendra Aarhus Shkoder do të angazhohen fillimisht në vendosjen e tabelave informative në ato pjesë të kufirit të Parkut Kombëtar “Alpet e Shqipërisë” që gjenden në akset rrugore dhe shtigjet e ecjeve malore, përmes së cilave qarkullojnë mijëra vizitorë të ditë. Duke shënuar në këtë mënyrë kufijtë fizik me tabela informative, synohet rritja e ndërgjegësimit të vizitorëve – por edhe të vetë banorëve që jetojnë brenda Parkut – për kujdesin e shtuar që duhet të tregojnë për ta ruajtur dhe trashëguar sa më të paprekur këtë pasuri të jashtëzakonshme natyrore dhe kulturore.



