Pse u ndërhy në “Peizazhin e Mbrojtur Lumi Buna – Velipojë”?
SShqipëria ka një vijë bregdetare prej 316 km, nga të cilat, 14 km i takojnë Velipojës. Velipoja kufizohet në jug me Shëngjinin dhe në perëndim me Lumin Buna. Skaji më perëndimor i Velipojës shtrihet në grykëderdhjen e Lumit Buna, shtrati i të cilit shënon edhe kufirin ndërshtetëror mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Kjo zonë bregdetare shquhet për gjerësinë e plazheve (deri në 300 m), si dhe për cilësinë e tyre. Klima e Velipojës është mesdhetare me dimër të butë dhe të lagësht, ndërsa vera e thatë me temperatura respektive 6-7 dhe 30-40. Zona ka bimësi subtropikale, tipike mesdhetare. Dunat bregdetare dominohen nga xunkthi, një lloj bari i fortë me gjethe të holla (Ammophila Arenaria L.), si dhe disa specie të tjera, si mrina ose konopica (Vitex agnus-castus), plepi i bardhë (Populus alba L.), disa lloje kallamishtesh etj., ndërsa pyjet me pisha Pinus halepensis, P. pinea, P. Pinaster etj.
Bashkë me Lagunën e Vilunit, Rezervati Natyror i Velipojës, Mali Kolaj e Këneta e Domnit, grykëderdhja dhe i gjithë pellgu i Lumit Buna deri në bashkimin e tij me Lumin Drin në jug të qytetit të Shkodrës, me sipërfaqe rreth 23.027 ha, bëjnë pjesë në Zonën e Mbrojtur “Peizazhi i Mbrojtur Lumi Buna – Velipojë” (kategoria V e IUCN). Si e tillë, ajo është një nga ligatinat më të rëndësishme në Shqipëri si habitati i një larmie të madhe biologjike të florës dhe faunës. Për këtë arsye, edhe mbrojtja ligjore e siguruar për këtë zonë është maksimale. Në total, ajo përfshin: Protected Landscape IUCN (Category V), Ëetland of International Importance (Ramsar site No: 781) and Important Bird Area.
Për më shumë se 10 shekuj, në afërsi të Velipojës, në deltë, funksiononte një port i thellë, prej nga ku, anijet e mëdha ndërroheshin me anije më të vogla që të mund të lundronin përgjatë lumit Buna deri në qytetin e Shkodrës. Edhe pse në një distancë rreth 25 km nga qyteti, Velipoja ka nisur të përdoret si destinacion turistik rreth viteve ’60 të shek. XX. Megjithatë, zhvillimin më të madh të aktivitetit njerëzor të turizmit, kjo zonë e ka marrë gjatë sidomos gjatë dy dekadave të fundit, por ky zhvillim ka patur koston e vet në mjedis. Janë përdorur për ndërtim sipërfaqe të mëdha pyjesh të mbjella në që nga fundi i viteve 1950, por edhe bimësie tipike të dunave, duke kërcënuar kufijtë natyralë të bregut të detit, pasiqë ndërtimet kanë shkuar deri në 100 m pranë ujit. Ndërkaq, projektet e fundit zhvillimore të zonës, përfshi rrugën panoramike Shëngjin-Velipojë, mund ta çojnë më tej këtë kërcënim duke mundësuar kohëzgjatjen dhe rritjen e numrit të frekuentuesve të këtij destinacioni.
Përkundër kësaj gjendjeje, një ndër pjesët më të ruajtuara të habitatit natyral në Velipojë është Zona e Mbrojtur. Megjithatë, në pjesën e saj perëndimore, në deltën e Lumit Buna, kufijtë e kësaj zone kërcënohen vazhdimisht nga erozioni, shkëmbimi i ujërave mes baticës dhe rrjedhjes së lumit, si dhe rritja e mundshme e nivelit të detit si pasojë e pritshme e ndryshimeve të pashmangshme klimaterike. Duke krahasuar të dhënat e ofruara nga ortofotot satelitore të zonës (Asig Geoportal) në vitet 2007, 2015 dhe 2021 vërehen lehtësisht dy fenomene që pasojnë njëri-tjetrin:
- Zhveshja e terrenit nga bimësia (pemë, shkurre, bimë shumëvjeçare etj)
- Erozion/tkurrje te sipërfaqes ranore me rreth 3 m në vit.
Për të kontribuuar në përmirësimin e kësaj situate nevojitet një kujdes i shtuar në mirëmbajtjen e bimësisë ekzistuese të të gjitha niveleve, në zëvendësimin e pemëve të vjetra, por edhe në rigjenerimin e bimësisë së dunave në Rezervatin Natyror të Velipojës. Kjo ndërhyrje restauruese rrit rezistencën e habitateve bregdetare ndaj ndryshimeve klimaterike dhe faktorëve të tjerë të përmendur më sipër, si dhe përmirëson në përgjithësi shëndetin e mjedisit bregdetar. Prandaj është zgjedhur bima e xunkthit, mjaft e përhapur në këtë zonë, pasi ajo është gjithmonë linja e parë e bimësisë në dunat e rërës.