GO2 Albania - Sustainable Urban Planning Organization
DDita e dytë e Right2theCity2 Albania nisi me një leksion të shkurtër nga aktivisti i të drejtave publike Ervin Goci. Lektori i Universitetit të Tiranës i vlerësoi profesionistët e rinj për angazhimin në këtë Punëtori, ku baza është studimi në terren. Kështu ata do të bëhen të vetëdijshëm me çka po ndodh nëpër qytet dhe do të arrijnë të njohin atë që Jane Jacobs, të cilës Goci i referohet, ‘citizen science’, shkencën e të qenit qytetar, pra ndjeshmërinë e tij ndaj qytetit. Për t’i bërë më të prekshme këto thirrje ndaj studentëve si qytetarë, e më pas si profesionistë, aktivisti foli me aq entuziazëm e pasion për 3 rezistenca në të cilat ka qenë pjesë. Ndër këto edhe Teatri Kombëtar, rastin e të cilit, Goci e solli në kontekstin e së e drejtës mbi një hapësirë dhe pronë publike. Qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm për ndjenjën e përkatësisë, të dinë çka u përket, sepse qyteti është e drejtë e të gjithëve, është e drejtë kolektive, -tha ai.
Më pas, pjesëmarrësit survejuan dhe identifikuan rrugët dhe zonat e ndryshme të Shkodrës, të zgjedhura nga ata vetë si zona të cilat kanë nevojë për një planifikim të mirëmenduar, për t’u mundësuar njerëzve ndërveprim më të madh me qytetin dhe për t’u ndjerë pjesë e tij. Për këtë qëllim, pjesëmarrësit të ndarë në grupe të vogla, biseduan drejtpërdrejt me qytetarët, të cilët i njohën me problematikat e përditshme, si mungesa e çezmave dhe e tualeteve publike, pastërtia, pushtimi i rrugëve nga makinat dhe i trotuareve nga shitësit, korsitë e biçikletave, numri i madh i qenve endacakë në rrugë etj.Me këto të dhëna të mbledhura në terren, pjesëmarrësit e Punëtorisë Right2theCity2 Albania, një pjesë e të cilëve janë anëtarë të EASA-s, u takuan mbasdreke me lehtësuesit e Punëtorisë. Seanca e ndarjes së ideve më lehtësuesit ishte ndarje e ndërveprim idesh mbi mbledhjen e informacionit në terren – komuniteti është i vetëdijshëm për çka i nevojitet, atë çka do të dëshironte të kishte… Përfshirja e tyre në procesin e planifikimit është risi në këtë metodologji dhe në qasjen e këtyre të rinjvë në këtë punëtori. Ata kuptojnë se puna me komunitetin është thelbësore për rivatlizimin dhe ndërhyrjet urbane në qytet – brezat e planifikuesve e arkitektëve të rinj duhet ta bëjnë pjesë të punës e mendësisë së tyre.
Qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm për ndjenjën e përkatësisë, të dinë çka u përket, sepse qyteti është e drejtë e të gjithëve, është e drejtë kolektive.
– Ervin Goci
Në fund ata do të përpilojnë të gjitha këto rezultate në një “udhëzues”, që do të jetë skematik dhe i thjeshtë për leximin nga qytetarët, vendimarrësit si dhe profesionistët. Të gjithë këto palë interesi duhet të bashkëveprojnë në harmoni së bashku, me qëllim që në qendër të jetë “përkatësia e komunitetit”.