GO2 Albania - Sustainable Urban Planning Organization
MMe emrin dhe emëruesin e përbashkët Art Dore Atelier, #GO2Innovation organizoi përgjatë muajve Tetor-Nëntor 2020, tre punëtori për artmaking, tekstil dhe artizanat. Punëtoritë e udhëhequra nga profesionistet Mimi Memiaj, Meliha Zyberaj, si dhe dy koleget e saj, zonjat Flora Doçi dhe Rexhina Rrethatori, u mbajtën në laboratoret e Shkollës së Mesme Profesionale “Hamdi Bushati” në Shkodër, ku morën pjesë 30 studentë të kësaj shkolle. Pjesëmarrësit, të viteve dhe profileve të ndryshme, mësuan 7 teknika krejtësisht të reja për ta, të cilat janë: teknika felt (shajaku), millinier, macramé, aksesorët me strukturën me fije metalike dhe felt me gjilpërë, qëndisje me makineri, endje e perit dhe tezgjah. Krahas shpjegimit të teknikave, udhëheqëset e këtyre punëtorive, por sidomos dizenjatorja e artit Mimi Memiaj, u mbajtën leksione për rëndësinë e ruajtjes dhe të përmirësimit të artizanatit, si dhe nevojën e pasurimit të tij me dizajn bashkëkohor.
Tezgjahu i dhuruar për Shkollën nga #GO2Innovation në kuadër të projektit të mbështetur nga Sida dhe Giz, e mundësoi mbajtjen e punëtorisë së artizanatit brenda laboratorit të shkollës. Të ulur pranë këtij tezgjahu dhe të udhëhequr nga mjeshtret Doçi dhe Rrethatori, studentët u njohën me traditën e trashëguar të punës në tezgjah. Me durim dhe profesionalizëm, zonjat u mësuan nxënësve të gjitha proceset e punës: që nga montimi i tezgjahut, endja e perit, futja e perit në liç, futja e perit në shpat e në vazhdim deri tek endja e pëlhurës.
Kështu, me rreth 60 pajisje, mjete dhe materiale pune, duke përshirë makineritë e qëndisjes dhe tezgjahun, laboratorët e konfeksionit u shndërruan në atelie të artit të dorës. Më këtë mënyrë, gjatë përvetësimit të teknikave pjesëmarrësit u njohën me mjetet e punës dhe funksionimin e tyre, pasi disa syresh ishin krejtësisht të panjohura. Ata u njohën me procesin e përpunimit të pëlhurës felt (shajak) dhe realizuan çanta dore vetëm me materialin bazë, leshin, dhe të gjitha mjetet e tjera thuajse rrethanore. Kjo për shkak se e gjithë pesha e procesit bie tek ngjeshja, rrahja apo fërkimi i materialit. Megjithëse e lodhshme dhe e panjohur për ta, studentët u angazhuan maksimalisht për ta përvetësuar këtë teknikë.
Jo më pak intriguese ishte teknika e endjes me dorë të kordonit të pambukut e quajtur macramé, e cila është një risi jo vetëm për studentët, por edhe për tregun e produkteve artizanale në Shqipëri. E frymëzuar nga nyjet e litarëve të anijes, kjo teknike bazohet në përvetësimin e llojeve të ndryshme të thurjes, nga e cila, me ndërthurje të dizajnit dhe kreativitetit, artizanet e reja pjesëmarrëse në punëtori mund të realizojnë produkte për dekor në dritare, vazo lulesh, çanta etj. Të ndarë në grupe të vogla, por duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin dhe nën kujdesin e dizenjatores Memiaj, pjesëmarrësit e punëtorisë së tekstilit dhe artmaking arritën të realizojnë 7 çanta dore felt, aksesorë për secilën prej tyre, 5 kapele të stileve: fedora, capelin, pillbox dhe sinamay me thurje bambuje, dhe 7 modele të vogla të dekoreve murale me artin macramé.
3 punëtori, 4 profesioniste, 30 pjesëmarrës, 6 teknika, 29 produkte.
– #GO2Innovation
Po ashtu, me ndihmën e mjeshtres së tekstilit Meliha Zyberaj, studentët funksionalizuan makinën e qëndisjes, një prej aseteve më të vlefshme të laboratorëve të tekstilit të Shkollës “Hamdi Bushati”. Kjo gjë i bëri studentët tejet entuziastë për të aplikuar dizajnet e tyre direkt nga kompjuteri, duke shmangur procesin e gjatë e të mundimshëm të qëndisjes me dorë, duke i lënë më shumë kohë dhe energji kreativitetit.