Shkreli, për herë të parë
Ajo që në Google Map emërtohet si “Rruga për Thethë” kalon përmes Luginës së Përroit të Thatë, në të dy anët e së cilës shtrihet Shkreli, rëndom i quajtur si Porta e Alpeve Shqiptare. Ndoshta është fati i portave apo pragjeve, të cilat janë bërë për t’u kapërcyer, ai që ka përcaktuar edhe fatin e Shkrelit nga aspekti turistik: nga mijëra turistët që kalojnë përmes Shkrelit për të shkuar në Alpe, fare pak ndalen për të eksploruar atraksionet e Shkrelit. Mirëpo që kjo të fillojë të ndryshojë, duhet kontributi i të gjithë aktorëve të interesuar për zhvillimin e turizmit në këtë zonë.
Këtij qëllimi i shërbeu turi me gazetarë, operatorë dhe guida turistike, i organizuar nga GO2 për të promovuar disa prej destinacioneve të pamenduara të Përroit të Thatë. Në fokus të këtij turi ishin lerat e bagëtive, për numrin e madh të të cilave, zona e Shkrelit zë vendin e parë në nivel kombëtar. Si pjesë e peizazhit rural me rëndësi jetike në zhvillimin e biodiversitetit, përfshi blegtorinë dhe faunën e egër, lerat mund të trajtohen edhe si atraksion turistik, për shkak se përfaqësojnë elementë të trashëgimisë materiale dhe shpirtërore. Përballë modernizimit përherë e më të shpejtë të fshatit, lerat mbeten një nga vendet e fundit në të cilat ende zhvillohen rituale të jetës baritore me origjinë nga thellësia e shekujve. Prandaj për të dokumentuar historikun, kategoritë, teknikat e ndërtimit dhe shpërndarjen e tyre në rajon dhe më gjerë, GO2 përgatiti librin studimor me titull “Lerat e Shkrelit, histori dhe teknika ndërtimi”, në të cilin përfshihet edhe një udhëzues për ndërtimin e lerave.
Ndërkaq, gjatë vizitës, përveç disa lerave në Sterkaj, Dedaj, Zagorë e Reç, pjesëmarrësit e turit u ndalën edhe në lerën e fshatit Bzhetë, të ndërtuar së fundmi, ku u pritën me një gosti tradicionale me produkte të blegtorëve vendas.
Një tjetër ndalesë interesante ishte vizita në fermën e bimëve aromatike mjekësore Salvia Nord – model i suksesit të biznesit familjar dhe i zbatimit të praktikave të mirëfillta shkencore në krijimin e varieteteve të bimëve të sherebelës, makthit etj., por edhe me kujdesin për kultivimin e lavandës, trumzës etj. Kohët e fundit, agronomi Agim Ramaj ka krijuar Kopështin e Resurseve Gjenetike të Bimëve Aromatike Mjekësore të Veriut të Shqipërisë, një model për t’u ndjekur në nivel kombëtar e më gjerë, e që do të pasohet me një kontribut të rëndësishëm në Bankën Gjenetike Shqiptare.
Bashkë me gështenjat e Reçit dhe Kanionin e Përroit të Thatë, këto dhe shumë atraksione të tjera të zonës, si rrënojat e kalave mesjetare të Ballezës dhe Marshejt, e sigurisht me destinacionet tashmë të njohura të Razmës, Vrithit, Bogës e Fushës së Zezë, janë arsye të rëndësishme për të tërhequr një numër gjithnjë e më të madh vizitorësh në Shkrel.
Realizuar në kuadër të projektit “Lerat tradicionale, në shërbim të blegtorëve dhe biodiversitetit”, të mbështetur nga Critical Ecosystem Fund dhe Birdlife International.