Udhëzuesi mbi Trashëgiminë Ndërtimore në Theth
TThethi është një fshat në Luginën e Shalës, Dukagjin, në qendër të Alpeve Shqiptare, parkut më të madh kombëtar të Shqipërisë1). Ai bën pjesë në Njësinë Administrative Shalë, Bashkia Shkodër dhe është parku i parë kombëtar2) i shpallur në hapësirën e Alpeve Shqiptare që shtrihen ndërmjet tre shteteve: Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kosovës3). Për vlerat urbanistike, arkitektonike dhe historike që mbart, Qendra e Thethit është shpallur Zonë e Mbrojtur Historike4), ndërsa për veçantitë e traditës agro-turistike, Thethi u përfshi në projektin e Qeverisë Shqiptare 100 Fshatrat5). Thethi është pika e nisjes së itinerarit Majat e Ballkanit6), si dhe pjesë e projektit tjetër ndërkufitar Parku Ballkanik i Paqes7).
Fillesat e turizmit në Theth datojnë që në fund të shekullit XX-të, por hapja e rrugës automobilistike në mesin e viteve ‘30 të shekullit të kaluar8) e çoi fshatin në krye të atraksioneve turistike të Veriut të Shqipërisë. Për atë kohë hoteli i parë alpin me vetëm disa shtretër u ndërtua rreth vitit 1940 nga italianët9), ndërsa në vitin 2015 Thethi numëronte mbi 50 bujtina me rreth 925 shtretër10). Më 2017, fshati kishte 72 bujtina me mbi 1000 shtretër11), ndërsa Plani Sektorial i Turizmit në Rajonin e Alpeve Shqiptare12) parasheh që deri në vitin 2030, Thethi të ketë një kapacitet akomodues prej 1500-1550 shtretër. Dokumenti nuk këshillon ndërtimin e hoteleve në këtë zonë, por parasheh shpërndarjen e kapacitetit akomodues në bujtina (B&B) 1050-1085 dhe kamping dhe kampera 450-465.
Megjithatë, që prej projektit të parë të mbështetur nga GIZ më 2005, kërkesa në rritje ka shkaktuar një trysni të fortë te vendasit për ngritjen e njësive të reja akomoduese. Në shumë raste është ndërtuar pa përfillur arkitekturën origjinale dhe në dëm të drejtpeshimit mjedisor. Reagimi i parë ndaj këtij fluksi ndërtimesh erdhi përmes projektit Ruajtja e Agro-biodiversitetit në Shqipërinë Rurale (CABRA) të mbështetur nga GIZ Shqipëri për hartimin e Udhëzuesit mbi trashëgiminë e ndërtuar në Theth. Puna ka nisur në vitin 2016, ndërsa një vit më vonë, Instituti i Monumenteve të Kulturës e shpalli Thethin Qendër të Mbrojtur Historike.
Qëllimi i këtij udhëzuesi është të mbrojë arkitekturën tradicionale të Thethit përmes propozimeve e rekomandimeve në respekt të traditës jo vetëm në formë (strukturën e ndërtimeve), por edhe në përmbajtje (materialet ndërtuese). Duke evidentuar shembuj nga vëzhgimi në terren, përmes fotografive, skicave dhe detajimeve teknike mëton të orientojë veprimtarinë ndërtuese dhe restauruese në këtë zonë. Ky udhëzues nuk synon vendosjen e sanksioneve ligjore, por fokusohet në rekomandimin e shembujve pozitivë, në përpjekje për përcaktimin e standardeve të ndërtimit në Theth dhe të krijimit të një modeli referues për Alpet Shqiptare. Mbetet në vullnetin e autoriteteve të administratës vendore e qendrore vlerësimi për përshtatjen e këtij dokumenti në formë ligjore.
Përse duhet udhëzuesi mbi trashëgiminë ndërtimore në Theth?
Shpallja e Alpeve Shqiptare si parku më i madh kombëtar në Shqipëri shtron nevojën e ruajtjes së balancës mes natyrës dhe zhvillimit. Të izoluara për shekuj me radhë dhe pas viteve ‘90 tërësisht të braktisur nga institucionet, këto zona e panë turizmin si mundësinë e vetme të zhvillimit. Ndërsa sot trysnia e këtij të fundit rrezikon të nxjerrë jashtë kontrollit menaxhimin e të mirave natyrore, të ruajtura së bashku me kulturën autoktone. Alarmin për këtë e konfirmon edhe Plani Sektorial i Turizmit për Rajonin e Alpeve Shqiptare 2017-2030, sipas të cilit Alpet Shqiptare do të mund të presin deri në vitin 2030 afërsisht 500.000 turistë. Kështu, në vitin 2030, Thethi që përbën njërin prej 2 vendbanimeve të mëdha të Alpeve, do të ketë rreth 1550 shtretër, nga 1200 sa ka aktualisht13). E ndërkohë që ndërtimet në Alpet Shqiptare vazhdojnë në mënyrë të pakontrolluar, përkundër mungesës së shpeshtë të lejeve të ndërtimit dhe të dokumentacionit të rregullt të pronësisë mbi tokën, krahas masave të tjera nevoja e një dokumenti si ky udhëzues bëhet gjithnjë e më urgjente. Për këtë arsye, ky botim priret t’i shërbejë vendimmarrësve në nivel qendror dhe lokal, banorëve të zonës, si dhe të gjithë palëve të interesuara (profesionistë, biznesmenë, investitorë, vizitorë etj).
Udhëzuesi mbi trashëgiminë ndërtimore në Theth do të orientojë fluksin e ndërtimeve për respektimin e karakterit unik të arkitekturës tradicionale dhe natyrës. Thethi u zgjodh si subjekt i këtij studimi (projekt pilot në Alpet Shqiptare) për shkak se vlera e trashëgimisë ndërtimore që mbart është ende ndër më të ruajturat në raport me zonat e tjera ku ka lulëzuar turizmi, por që sigurisht ndjehet e kërcënuar nga hovi i zhvillimit përgjatë dhjetëvjeçarit të fundit.
Metodologjia
Metodologjia e përdorur për realizmin e këtij udhëzuesi dhe arritjen e objektivave të tij është ajo përshkruese dhe analitike, duke shfrytëzuar të dhëna parësore dhe dytësore.
Të dhënat parësore të studimit mbështeten në metodën e hulumtimit direkt në terren, përmes matjeve e rilevimeve të trashëgimisë ndërtimore në zonë, si dhe intervistave me banorët e zonës. Ndërsa intervistat jashtë terrenit janë bërë përmes takimeve në grup ose individuale me përfaqësues të institucioneve të ndryshme qendrore e lokale, profesionistë, vizitorë të huaj, ekspertë të shoqërisë civile që punojnë në zonë, si dhe biznese e sipërmarrës të shumtë.
Gjatë vëzhgimeve në terren janë mbledhur të dhëna të shumta për gjendjen fizike të ndërtimeve. Kriteri i përzgjedhjes i është referuar shpërndarjes sipas lagjeve, duke përfshirë objekte përgjatë gjithë fshatit, nga Okoli deri në Ndërlysaj. Përpos kësaj, ndërtesat janë përzgjedhur edhe sipas gjendjes së tyre aktuale dhe funksionit. Gjatë 8 ekspeditave të realizuara ndërmjet viteve 2017 dhe 2018, janë dokumentuar mbi 70-80 ndërtesa, ku çdo objekt është pajisur me kartelë të posaçme, shoqëruar me foto, vendndodhjen dhe përshkrimin arkitektonik. Në disa raste, kur detajimi përbën interes të veçantë është kryer edhe rilevim i banesës (janë kryer tetë të tilla) duke evidentuar formën e objektit në plan dhe volumetri, si dhe detaje të veçanta arkitektonike.
Të dhëna për banesën në përgjithësi dhe metodat tradicionale të ndërtimit të tyre janë marrë edhe nga rrëfimet gojore të banorëve. Në rreth 25 intervista gjysëm të strukturuara janë intervistuar të gjitha grupmoshat, të dy gjinitë, njëkohësisht duke perzgjedhur banorë nga të gjitha lagjet; ndër ta familjarë, sipërmarrës të bujtinave në turizëm, mjeshtra artizanë të drurit dhe gurit, bujq, profesorë e studiues vendas, restauratorë, vendimmarrës, vizitorë shqiptarë e të huaj etj. Intervistat gojore janë regjistruar të plota, pastaj janë transkiptuar, si dhe janë ekstraktuar detajet më të rëndësishme të tyre.
Të dhënat dytësore janë rezultat i shqyrtimit të një literature të gjerë, prej më shumë se 60 tituj librash e artikujsh shkencorë, shqiptarë dhe të huaj, në lidhje me aspektet teknike dhe arkitektonike të ndërtesave dhe organizimit të jetës së përditshme në Alpet Shqiptare. Një kontribut me vlerë dhanë kërkimet pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, prej ku janë marrë referenca lidhur me dokumentimin përmes fotografive dhe teknikave mbi trashëgiminë ndërtimore në Theth që prej viteve ’50 të shekullit të kaluar e deri më 2000.
(Hyrja e “Udhëzues mbi Trashëgiminë Ndërtimore në Theth”, fq. 17-22)
1) Parku Kombëtar Alpet Shqiptare (86.145 hektarë) është projektuar që në vitin 2016, por pavarësisht se është hartuar edhe (draft) Plani i Menaxhimit të këtij parku, qeveria nuk e ka miratuar ende vendimin për shpalljen Park Kombëtar. Parku parasheh bashkimin e disa zonave të mbrojtura në veri të Shqipërisë: Luginën e Gashit (Rezervë Strikte Natyrore kategoria I IUCN (International Union for Conservation of Nature është autoritet global që ruan dhe mbron statusin e natyrës dhe ndërmerr masa për mbrojtjen e saj), pjesë e Brezit të Gjelbër Europian, listuar në Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s); Parkun Kombëtar Lugina e Valbonës (Kategoria II IUCN); Parkun Kombëtar Theth (Kategoria II IUCN), si dhe Luginën e Kelmendit.
2) Thethi u shpall Park Kombëtar Pyjor me vendimin e Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore të Shqipërisë, nr. 96, dt.21.11.1966. Sipërfaqja e Zonës së Mbrojtur është 2630 hektarë.
3) Shqipëria është i pari vend që ka shpallur një Park Kombëtar në Alpet Shqiptare (Thethin më 1966), të cilat janë vazhdim i Alpeve Dinarike. Mali i Zi ka shpallur Parkun Kombëtar “Prokletije” më 2009, ndërsa Kosova shpalli “Bjeshkët e Namuna” më 2012
4) Vendimi i Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë nr. 733, dt 8.12.2017 për shpalljen e Qendrës Historike të Thethit, si dhe Zonës së Mbrojtur përreth saj, përcakton edhe rregulloren e zbatimit të këtij vendimi.
5) Projekti 100 Fshatrat u ndërmor nga Qeveria e Shqipërisë më 2018 me synim realizimin e investimeve të përbashkëta strategjike të disa ministrive për zhvillimin e integruar të hapësirave rurale të vendit.
6) Majat e Ballkanit është një shteg ndërkufitar për ecje malore prej 192km përmes Alpeve Shqiptare në Shqipëri, Kosovë dhe Mal të Zi.
7) Projekti i Parkut Ballkanik të Paqes synon krijimin e një parku ndërkufitar (Shqipëri, Kosovë, Mali i Zi) për të lidhur dhe zhvilluar zonat fqinje mes këtyre tre shteteve.
8) Rruga nga fshati Dedaj deri në Theth u projektua nga inxhinieri Kosta Mani. Ndërtimi i saj filloi në vitin 1935 dhe përfundoi në vitin 1936.
9) “Prime ascensione compiute dalla spedizione Italiana nelle Alpi Albanesi – 1940” , Luigi Santurini, 1940
10) Guida e Thethit, 2015, GIZ Albania.