GO2 Albania - Sustainable Urban Planning Organization
Meliha Zyberaj: Tezgjahun e kam nisur që në vajzëri, duke mësuar nga brezat e vjetër, ndërsa angazhimin e plotë me tezgjahun dhe qëndisjen e bëra më 2004, duke improvizuar një hapësirë pune në ambientet e shtëpisë. Në mungesë të makinerive moderne, qëndisjet bëheshin me dorë, në gjergjef ose jo. Më vonë u bë me makina tradicionale qëndisjeje, kostoja e të cilave e lartë. Ndërsa tezgjahu ende punohet me teknikat e vjetra, nga endja e perit te pëlhura. Në bazë të fijeve, si e pambukut, lirit, akrilikut, mëndafshit dhe leshit, varet edhe teknika e endjes së pëlhurës.
Risia që sollën Artizanet Vau Dejës është rritja e fshikëzës së mëndafshit, e cila në fakt ka qenë traditë e zonës. Deri tani kemi arritur të nxjerrim fijen e mëndafshit në mënyrë artizanale nga fshikëza të mbledhura nga pemët në zonë, por në bashkëpunim me Bashkinë Vau Dejës, kemi filluar mbjelljen e fidanëve të manit dhe po tentojmë të blejmë pajisjet për nxjerrjen e fijeve, të cilat do të rrisin rendimentin e punës. Pra ne planifikojmë të kryejmë të gjithë ciklin.
Mendoj se në zonën e Vau Dejësit mund të jenë rreth 10-15 familje, të cilat sigurojnë të ardhurat nga puna që bëjnë gratë në tezgjah. Gjithashtu në fshatrat përreth si Mjedë, Hajmel e Shelqet, pak familje të tjera merren ende me tezgjah.
Produktet më të kërkuara janë shallet, çarçafët, mbulesat e tavolinave, mbulesat e vogla decorative Kemi kërkesa për dy të fundit edhe nga baret e restorantet. Po ashtu kërkohen edhe kostumet tradicionale. Këto produkte nuk kërkohen vetëm brenda vendit, por edhe jashtë vendit, në familje shqiptare nga SHBA, Belgjika etj. Me këto punime marrim pjesë edhe në panaire të ndryshme.
Nuk e them dot nëse kishte më shumë te njëra apo tjetra. Interesi dhe entuziasmi ishte i njëjtë për të dyja teknikat dhe këtë e vërteton ardhja e studenteve në punishten e Artizaneve të Vau Dejës për të parë endjen e perit dhe qëndisjen me makineri. Megjithatë në grupin e madh të pjesëmarrësve në punëtori, kishte nxënës më të interesuar për tezgjahun e të tjerë për qëndistarinë.
Mund të them se 3 nga nxënëset pjesëmarrëse e përvetësuan menjeherë teknikën e endjes në tezgjah, duke qenë se për ta nuk ishte një proces krejt i panjohur. Ndërsa dy nxënëse të tjera, që tashmë bëjnë edhe punë individuale me qëndisje, ishin mjaft kërkuese dhe të angazhuara për këtë teknikë duke funksionalizuar makinën e qëndisjes në laboratorin e konfeksionit të shkollës ku studiojnë. Mendoj që ata vetë kishin filluar të “profilizoheshin”, disa në qëndisje e të tjera në endjen e pëlhurës me tezgjah. Sikur vajzat të vazhdojnë ndjekjen e proceseve të punës në qendrën tonë dhe të mësojnë makineritë të janë asete të vlefshme në kabinetin e tyre, ato do t’i kenë dyert e hapura te ne, dhe pse jo të bëhen sipërmarrëse. Duke vëzhguar këto pjesëmarrëse në punëtori, por edhe vajza të reja në zonë, besoj se ka shumë interes për artizanatin.